BOTA, 22 July 2026, 19:00

Ferr zjarri në Siçili/ 1000 vatra dhe temperatura ekstreme, zjarrfikësit në betejë me flakët (VIDEO)

14.jpg

Zjarrfikësit italianë po përballen sot me dhjetëra vatra zjarri pyjore dhe flakë të përhapura në zona të ndryshme të Siçilisë, në jug të Italisë, ndërsa temperaturat ekstreme dhe erërat e nxehta po favorizojnë përhapjen e tyre.

Në disa zona të ishullit, temperaturat maksimale kanë arritur deri në 40 gradë Celsius, ndërsa në pjesën qendrore dhe jugore të Siçilisë janë regjistruar temperatura mbi 45 gradë Celsius.

Për shkak të zjarreve, autoritetet janë detyruar të evakuojnë rreth 100 banorë, si dhe 22 pacientë nga një klinikë në qendër të ishullit, ku një vatër zjarri vijon të jetë aktive prej disa ditësh, pavarësisht ndërhyrjes së avionëve zjarrfikës.

Sipas një njoftimi të zjarrfikësve italianë, që prej së shtunës janë kryer operacione për shuarjen e më shumë se 1 mijë zjarreve në të gjithë Siçilinë.

Një zëdhënës i Shërbimit Italian të Mbrojtjes Civile, në një deklaratë për Agjencinë Franceze të Lajmeve, e cilësoi situatën “serioze”, duke theksuar se zjarret po favorizohen nga temperaturat shumë të larta dhe thatësira e tokës.

Deri tani nuk janë raportuar viktima nga zjarret, sipas zjarrfikësve dhe autoriteteve të Mbrojtjes Civile.

Një nga vatrat më problematike po përhapet me shpejtësi në pjesën qendrore të ishullit, pranë zonave Castronovo dhe Santo Stefano Chischina. Për shkak të dëmtimeve të shkaktuara, rreth 20 komunitete kanë mbetur pa ujë të pijshëm, sipas kompanisë së ujësjellësit.

Gazeta lokale “Giornale di Sicilia” raportoi se temperaturat kanë kaluar 45 gradë Celsius në shumë komunitete të pjesës qendrore dhe jugore të ishullit.

Ekspertët theksojnë se për shkak të ndryshimeve klimatike, periudhat e thatësirës janë bërë më të shpeshta në Siçili, ku rreth 70% e territorit konsiderohet në rrezik të shkretëtirëzimit.

Në gusht të vitit 2021, në zonën pranë Sirakuzës, temperaturat arritën 48.8 gradë Celsius, një rekord i regjistruar për Evropën.