TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Daniel Siad, një nga bashkëpunëtorët e njohur të Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në apartamentin e tij në Paris, vetëm dy ditë pasi një viktimë e trafikantit seksual foli publikisht për rolin e tij në njohjen me Epstein. Sipas mediave ndërkombëtare, Siad, 69 vjeç, u gjet pa shenja jete të hënën në banesën e tij në lagjen Colombes të Parisit, ku kishte jetuar vitet e fundit. Prokuroria franceze ka hapur një hetim për zbardhjen e rrethanave të vdekjes, ndërsa pritet të kryhet edhe autopsia për përcaktimin e shkakut.
Më 18 korrik, një nga viktimat e Jeffrey Epstein foli për BBC-në për abuzimet që kishte përjetuar dhe deklaroi se ishte Daniel Siad ai që e kishte prezantuar me financierin amerikan të dënuar për krime seksuale. Dy ditë më pas, Siad u gjet i vdekur.
Emri i 69-vjeçarit shfaqet mijëra herë në dokumentet e lidhura me çështjen Epstein, të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Ai është përmendur si një nga kontaktet franceze të Epstein, i cili dyshohet se ndihmonte në gjetjen e vajzave dhe grave që më pas abuzoheshin dhe trafikoheshin. Megjithatë, Siad nuk është marrë kurrë në pyetje nga autoritetet dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij. Ai pretendonte se nuk ishte në dijeni të veprimtarisë kriminale të Epstein dhe se kishte qenë i manipuluar nga besimi që kishte ndaj tij.
Në një email të vitit 2014 drejtuar Epstein, Siad përdorte një metaforë ku e krahasonte veten me një “peshkatar”, duke shkruar se ndonjëherë arrinte të gjente persona të rinj dhe ndonjëherë jo. “Ndjehem si një peshkatar, ndonjëherë kap peshk shpejt, ndonjëherë jo”, shkruante ai në mesazhin drejtuar Epstein. Autoritetet franceze pritet të sqarojnë në vijim rrethanat e vdekjes së Siad dhe nëse ajo lidhet me hetimet e vazhdueshme rreth rrjetit të Jeffrey Epstein.