AKTUALITET, 15 Shtator 2018, 13:58

Plagosja e 77 vjeçarit Haxhi Lika, PD takon familjarët: Policia u soll si bandë!

Plagosja e 77 vjeçarit Haxhi Lika, PD takon familjarët: Policia u

Pas plagosjes së 77 vjeçarit Haxhi Lika nga RENEA deputetët e Partisë Demokratike, Ervin Salijanji dhe Myslim Murrizi kanë vizituar familjarët në fshatin Rrema të Lushnjës. Sipas dëshmisë së familjarëve nuk kanë asnjë lidhje me dy personat e kërkuar nga policia.

Salijanji dhe Murrizi shprehën keqardhjen për ngjarjen dhe deklaruan se policia në vend që të luftojë bandat, godet qytetarët, duke u përdorur për show nga qeveria e lidhur me krimin.

“Familjarët e të moshuarit të pafajshëm, të goditur me plumb në kokë nga policia,” tha Salijanji.

“Terror or burrë, terror. U thashë, aman ore çfarë ju kemi bërë, kush jeni? Çfarë doni nga ne u thashë,” u shpreh njëri prej familjarëve .

Gjyshja e familjes, me bashkëshortin e plagosur dhe fëmijët e dhunuar ishte akoma e tronditur dhe thotë se nuk ka asnjë lidhje me të kërkuarit nga policia.

"Me këta dy persona që me demek janë në kërkim keni lidhje miqësore? I njihni?” pyeti Myslim Murrizi.

“Jo, jo fare. Nuk e dimë fare. Nuk kemi lidhje farefisnore fare. As nuk i njoh, as nuk më njohin, çfarë të të them unë,” u përgjigj nipi i të plagosurit.

Dëshmitë e familjarëve nxorën në pah mashtrimin e policisë se i plagosuri ka dalë në dritare i armatosur, një pretendim i pavërtetë përsa kohë ai e ka plumbin në kokë dhe jo në bark, siç duket nga lartësia e vrimave në mur,” deklaruan deputetët e PD.

“Xhaxhai ka qenë shtrirë. Sa është ulur, e ka kapur në kokë,” shpjegoi nipi i të plagosurit.

Në atë distancë që është, 1 metër, ka qenë në krevat, se po të ishte në këmbë, do ta kapte në bark plumbi jo në kokë,” vazhdoi Myslim Murrizi.

Ndërsa Ervin Salianji kërkoi ndjekjen penale të kujtdo që ka shkrepur armën ndaj një qytetari të pafajshëm dhe ka ushtruar ndaj një familjeje të zakonshme, pa lidhje me krimin.

Kanë blinda ata në Vlorë. Përse nuk venë në Shkodër, përse nuk venë në Lushnje në qytet, me bandat e Aldo Bares.

Përse nuk përballen këta në mënyrë të drejtpërdrejt me “Hakmarrjen për Drejtësi”, përse nuk përballen këta me vëllain e kryeministrit, po me bandat e vëllait të Ministrit të Brendshëm përse nuk përballen këta? Ata vijnë tek ju që jeni punëtorë, që punoni, që jeni të pamundur, sepse janë të pafuqishëm, janë të tredhur për t’u përballur me bandat ata”, tha Salianji.

Ne po themi dhe ju po thoni, kemi thënë që Zoti na ruaj. Tani duhet të bëhemi zotë të vetes sonë. Me këtë qeverisje nuk ecet më. Këta janë banditë. Këta janë fiks ajo shprehja, që vijnë të vrasin natën dhe të qajnë ditën,” përfundoi Salijanji.

Plagosja e Haxhi Likës u bë mëngjesin e ditës së djeshme gjatë aksionit të policisë për arrestimin e dy personave të dyshuar si anëtarë të një bande të rrezikshme. TPZ.AL