AKTUALITET, 3 Shkurt 2019, 12:26

Pëson 6 gola në dy ndeshje, çfarë thonë mediat italiane për Juventusin

Barazimi 3-3 kundër Parmës nuk i rrezikon aspak vendin e parë Juventusit, por gjithsesi është një sinjal alarmi për “Zonjën e Vjetër”.

Këtë e konfirmojnë ecuria dhe shifrat në dy ndeshjet e fundit, përfshirë edhe atë në mesjavë kundër Atalantës, të humbur me rezultatin e thellë 3-0.

Në dy sfida skuadra e drejtuar nga Masimiliano Alegri ka pësuar gjashtë gola dhe ka shënuar tre të tillë, një statistikë pasive që kampionët e Serisë A nuk e kishin regjistruar prej shumë vitesh. Mediat italiane e gjejnë shkakun te mbrojtja, e cila “fut ujë” pa titullarët e saj Bonuçi e Kielini të dëmtuar.

Duke qëndruar në këtë fakt dhe duke parë nga e ardhmja, të përditshmet përtej Adriatikut i bien sirenave të alarmit sidomos për sfidën e ardhshme kundër Atletikos së Madridit në Champions.