TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Peshëngritësi shqiptar Briken Calja ka përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në peshën 73 kg dhe është pozicionuar “me dhimbje” në vend të gjashtë, duke mos kapur zonën e medaljeve.
Calja është futur në garë i dëmtuar, pasi kishte marrë një dëmtim në fazën përgatitore por siç kishte premtuar në statusin e tij në Facebook ai derdhi “djersë e gjak” për të nderuar Shqipërinë. Pavarësisht se nuk mori asnjë medalje as në stilin e shtytjes as të shkëputjes dhe as në dy garësh, Brikeni përcolli vlerë pasi nuk u dorëzua edhe pse lehtësisht në fytyrën e tij dallohej që kishte dhimbje gjatë provave.
Në stilin e shkëputjes realizoi me sukses dy provat e para 148 kg dhe 153 kg, por 157 kg nuk i ngriti dot në provën e tretë, pasi pësoi një kontraktim në kofshën e majtë duke e mbyllur këtë stil në vendin e gjashtë.
Edhe në stilin e shtytjes Calja ngriti me sukses dy provat e para me peshat përkatësisht 181 kg dhe 186 kg ndërsa nuk ia doli në të tretën 189 kg. Në shtytje u rendit i shtati, ndërsa në dygarësh e mbylli në vendin e gjashtë me 339 kg në total.
Por më tepër sesa renditja kjo garë tregoi diçka, së pari kushtet e vështira në të cilat stërviten sportistët tanë që përfaqësohen në arena ndërkombëtare dhe së dyti karakterin e fortë të sportistëve shqiptar për të mos u dorëzuar edhe nëse do “duhet t’i hanë dhimbjen me dhëmbë”… Calja nuk mori medalje, por mbajti premtimin.