AKTUALITET, 17 Nëntor 2018, 11:54

Përpara deputetëve të PS, Veliaj barazon banorët e “Unazës së Re” me nazistët gjermanë

Përpara deputetëve të PS, Veliaj barazon banorët e

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka sulmuar edhe sot banorët e “Unazës së Re” që protestojnë kundër planit për prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre. Veliaj ka ashpërsuar tonet ndaj banorëve duke i krahasuar ata me nazistët gjermanë.

Sipas Veliajt, hera e parafundit që u dogjën goma në derën e bashkisë ka qenë në vitin 1944, kur pushtuesit po largoheshin nga qyteti, ndërsa hera e fundit ishte pardje, në protestën e banorëve të “Unazës së Re”.

“A ka momente për të reflektuar për atë që po ndodh sot? Hera e parafundit që u dogjën goma përballë bashkisë së Tiranës, në derë të bashkisë së Tiranës, hera e parafundit ishte 17 nëntor i ’44 kur trupat që po largoheshin dogjën qytetin dhe shkaktuan dëmet e fundit që mund t’i bënin Tiranës. Hera e fundit ishte pardje kur u dogjën përpara bashkisë së Tiranës, pas 74 vitesh. Jo nga armiku, jo nga pushtuesi, jo nga zaptuesi, nga ne vetë. Prandaj them që ky është një moment reflektimi”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë që Erion Veliaj bënte këtë deklaratë, përballë tij qëndronin në këmbë deputetët e PS, Vasilika Hysi, Elona Gjebrea, Besnik Baraj, Klotilda Ferhati, Sadri Abazi dhe Blerina Gjylameti.