AKTUALITET, 18 Qershor 2019, 19:05

Përgjimet e Bild, Balla: Jam dhe unë pjesë, kam folur me Keshin

Përgjimet e Bild, Balla: Jam dhe unë pjesë, kam folur me Keshin

Kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla ka shfaqur rezervat e tij në lidhje me 16 audio-përgjimet e publikuara nga media gjermane.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të Neës24, Balla tregoi se edhe ai ka folur në telefon me ‘protagonistin’ e përgjimeve, Arben Keshin.

Më tej kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se fakti që telefonata e tij me Keshin nuk është zbardhur, tregon që përgjimet janë publikuar në copa-copa dhe kjo lë për të dyshuar.

“Gazeta Bild nuk është një gazetë politike. Këtë çështje do ta ndjekim edhe në drejtësinë gjermane. Përkthimet janë pa lidhje. Ajo që po iu them është se: nuk janë aspak të vërteta konkluzionet e nxjerra. Ky është një skenar shantazhi, ku është i përfshirë vetë Basha dhe familjarët e tij.

Këto janë copëza të nxjerra jashtë kontekstit. Unë kam qenë në Dibër. PD kishte dislokuar të gjithë grupin parlamentar, të gjithë armatën e saj. Ne kemi qenë në Dibër për të monitoruar procesin. Një nga personazhet e përgjuar në këtë rast, Keshi më ka marrë në tel dhe më njofton se Flamur Noka së bashku me disa persona, e kanë goditur dhe e kanë kanosur në armë. Kjo s’ka dalë, është në përgjim. Fakti që kjo zbardhet copa-copa. PD këto përgjime i ka pasur në dorë. Asokohe PD ka qenë në parlament për të kontestuar rezultatin,”– tha Balla ndër të tjera.

Në ditë më parë gazeta gjermane “BILD” publikoi përgjimet e radhës në lidhje me shit-blerjen e votave nga Partia Socialiste në Dibër. Këto përgjime kanë lidhje me të ashtuquajturën “Dosja 184”, e përfolur nga opozita si dosja voluminoze që provon krimin zgjedhor në Dibër. Më titullin “Shiritat e dëgjimit dëshmojnë: Qeveria manipuloi zgjedhjet”, Tiede publikoi audio-përgjimet ku flet edhe vetë kryeministri Edi Rama. Për këto përgjime Rama u shpreh se do të hedhë në gjyq gazetarin. Ai theksoi se përgjimet janë përdorur nga PD për shantazh dhe janë nxjerr nga prokurori që është shërbëtor i Saliut.