AKTUALITET, 12 Mars 2019, 16:51

PD publikon dokumentin/ Kryebashkiaku socialist miratoi vendin e depozitimit të mbetjeve nga TEC-i

Partia Demokratike, Dega e Korçës, publikoi dokumentin me firmën e Kryetarit të Bashkisë Korçë Sotiraq Filo, i cili, miratoi vendin e depozitimit të mbetjeve nga TEC-i.

Në dokumentin e datës 11 shtator 2018, thuhet qartë se, vend-depozitimi i mbetjeve inerte është përcaktuar të jetë fusha e vjetër e mbetjeve ndërsa mbetjet e tjera do t'i dorëzohen kompanisë kontraktore të bashkisë.

Në deklaratë thuhet se “ky dokument i sigluar me firmë abuzimi dhe vulosur me vulë turpi, është fytyra e vërtetë e Sotiraq Filos, i cili jo vetëm e ka mbështetur projektin "de facto", por edhe "de jure" me vendimmarrjen e tij, duke i hapur rrugë ndërtimit të TEC-it, pa pyetur dhe dëgjuar askënd, veç urdhërdhënësve të tij.”.

PD thotë se anullimi i ndërtimit të TEC-it është fitore e një beteje të nisur nga mijëra qytetarë, që u injoruan dhe shpërfillën nga treshja Rama-Peleshi-Filo.

DEKLARATË E ANËTARES SË KRYESISË SË PD KORÇË, LEDINA ALOLLI

Dega lokale e PD të Korçës shpreh mirënjohje dhe konsideratë të thellë për çdo qytetar, intelektual, ambientalist, përfaqësues të shoqërisë civile dhe çdo individ, të cilët zgjodhën të refuzojnë dhe kundërshtojnë pa asnjë kompromis, ndërtimin e TEC-it, simbolit të korrupsionit të pamatë të qeverisjes qëndrore dhe lokale.

Ideatorët, lobuesit, mbështetësit dhe përfituesit direkt të projektit, që do të shkatërronte çdo perspektivë zhvillimi të Korçës, nga ish-ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, deri tek ekzekutori i verbër Sotiraq Filo, ditët e fundit, kanë bërë një hap pas, duke tentuar t’u mbushin mendjen korçarëve se ata, pikërisht ata, janë kundër ndërtimit të TEC-it. Pas firmës së Niko Peleshit, që i mundësoi kompanisë investitore, statusin e investitorit strategjik, kryetari i bashkisë Sotiraq Filo, ushtari i zellshëm që nuk di të thotë jo, firmosi lejen për venddepozitimin e mbetjeve, që do të gjeneroheshin nga vënia në funksion e TEC-it.

Partia Demokratike e Korçës ka siguruar dhe po bën publik dokumentin e datës 11 shtator 2018, ku thuhet qartë se, vend-depozitimi i mbetjeve inerte është përcaktuar të jetë fusha e vjetër e mbetjeve ndërsa mbetjet e tjera do t'i dorëzohen kompanisë kontraktore të bashkisë.

Ky dokument i sigluar me firmë abuzimi dhe vulosur me vulë turpi, është fytyra e vërtetë e Sotiraq Filos, i cili jo vetëm e ka mbështetur projektin "de facto", por edhe "de jure" me vendimmarrjen e tij, duke i hapur rrugë ndërtimit të TEC-it, pa pyetur dhe dëgjuar askënd, veç urdhërdhënësve të tij. Çfarë do t’u thotë tani Sotiraq Filo qytetarëve të Korçës të cilët edhe një herë i tradhtoi dhe i goditi pas shpine? A do të ketë guxim ky kampion i korrupsionit të Rilindjes të justifikojë firmën dhe vulën në një dokument që prodhon pasoja juridike me deklarata rrjetesh sociale dhe hartimesh të çartura?

Si ka mundësi që edhe pse investitori ende nuk e kishte marrë lejen nga Ministria e Mjedisit dhe Energjitikës, Sotiraq Filo miraton lejen për caktimin e vendit ku do të grumbullonte TEC-i mbetjet? Çfarë e bëri kaq të sigurt kreun e bashkisë që jo vetëm të jepte çdo leje të mundshme për investitorin, por dhe të ndikonte që kompania, me shantazh të pashembullt në një shtet ligjor, t’u rrëmbente tokën 50 familjeve të fshatit Barç?

Përgjigjia është e qartë, për çdo qytetar. Çfarëdo që të përpiqet të mohojë dhe fshehë Sotiraq Filo që firmos natën lejen për TEC-in dhe qan ditën para kamerave, që të zhbëjë atë për të cilën u investua, bashkë me Peleshin. Nëse TEC-i nuk do të ndërtohet, kjo nuk është as merita jote, as e Peleshit, as e Klosit dhe të tjerëve, por është fitore e një beteje të nisur dhe finalizuar nga mijëra qytetarë, edhe votues të tu, që i injorove dhe shpërfille, derisa karrikja ku je ulur t’u drodh dhe shkund nga zemërimi dhe revolta që mund të përmbysë edhe botën dhe, padiskutim, edhe ty.

Kjo është e vetmja e vërtetë që qytetarët e Korçës ta përplasën në fytyrë, si një leksion të shkëlqyer të qëndresës dhe dashurisë për Korçën dhe për të cilën ti duhet të mbash përgjegjësi, edhe penale.

Image