TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
KPK-ja zhvilloi seancën dëgjimore për gjyqtarin e krimeve të Rënda, Dhimitër Larën. Mësohet se për Larën është kryer hetimi për pasurinë e tij, pastërtinë e figurës si gjyqtar dhe për aftësitë e tij profesionale.
Përsa i përket pasurisë, gjyqtari i Krimeve të Rënda ka rezultuar më disa pasaktësi të vogla për një apartament të blerë në Tiranë dhe për disa huamarrje.
Për Larën u deklarua se ka pasur pesë denoncime nga publiku.
Gjyqtari Lara u pyet për shpalljen fajtorë për dy persona të cilët u akuzuan se ishin pjesë grupit “Hakmarrja për drejtësi”, ndërkohë që nga një tjetër trup gjykues ky vendim është rrëzuar.
vendimi për fajësinë e tyre është prishur nga një tjetër trup gjykues dhe për këtë Komisioni kërkoi shpjegime. Në seancë, Lara tha se edhe nëse do kthehej pas, nuk mendonte se do bënte ndonjë ndryshim.
Denoncuesit kanë pretenduar se gjyqtari është korruptuar politikisht dhe ka probleme me aftësitë profesionale, kurse Lara deklaroi se po të kthehej pas do të jepte të njëjtin vendim për ta.
Raporti i plotë i KPK:
Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka deklarim të rremë, nuk ka fshehur pasurinë, subjekti nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.
KPK ka kryer një hetim të thelluar në lidhje me pasurit: apartament 66 metra katrorë në Tiranë, blerë në vitin 2006 për 8 milionë e 500 mijë lekë. Burim është deklaruar 3 milionë lekë të përfituara nga shitja e një apartamenti si dhe huaja prej 5 milionë lekë në bankë. Pasi janë bërë verifikimet e duhura, është konstatuar se shitja e apartamentit në Durrës është bërë më vonë se lidhja e kontratës së apartamentit në Tiranë.
Subjekti nuk e ka pasur shumën për lidhjen e kontratës së blerjes. Ndërkohë, subjekti ka shpjeguar se tre ditë para lidhjes së kontratës ka tërhequr kesh 1 milion lekë për blerjen, nga një llogari e tij. Ky fakt është vërtetuar nga banka dhe nga analiza financiare, rezulton se ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të bërë këtë tërheqje.
Për një pjesë të shumës që ka shlyer blerjen, subjekti ka deklaruar se bashkëshortja e ka marrë kesh te një person i afërt. KPK ka kërkuar vërtetimin e marrjes së kësaj shume, duke kryer një hetim edhe për pasurinë e personit që ka dhënë huan. Subjektit i kaloi barra e provës për mospërputhjen në deklarim për burimin e kësaj pasurie.
Subjektit gjithashtu i kaloi barra e provës për vërtetimin që personi që ka dhënë huan kesh, ka burime të ligjshme. Lidhur me huan 5 milionë lekë, si burim tjetër i blerjes së apartamentit, është hetuar dhe ka rezultuar se përputhen deklarimet. Në pronësinë e Larës është edhe një depozitë 19 milionë lekë me pjesë takuese 50%. Burim krijimi është transferimi i shumës 21 milionë lekë nga banka amerikane e investimeve. Kjo pasuri është krijuar nga shpronësimi i një pasurie të paluajtshme, ku nëna e tij ka qenë bashkëpronare.
Nga hetimi, ka rezultuar se nuk ka pasur pasaktësi për këtë pasuri. Janë deklaruar likuiditete në BKT, në shumën 743 mijë lekë pjesë takuese 100%. Subjekti ka një hua pa afat 1 milion e 3 mijë lekë marrë nga tezja e tij. Gjatë hetimit, u vërtetua se kjo shumë ka kaluar në bankën popullore nga shtytësja P.Z., për shlyerjen e kredisë. Lidhur me këtë hua, vihet re se subjekti ka deklaruar shlyerjen e interesit, ndërkohë ka deklaruar faktin e dhurimit të interesit nga tezja e tij.
Më tej, gjatë hetimeve paraprake, u konstatua edhe një kontratë huaje, ku kunati i ka dhënë huamarrësit, Dhimitër Larës, në shumën 1 milion e 5 mijë lekë, për shlyerjen e kredisë. Kjo hua është shlyer nga subjekti tërësisht. Nga hetimi ka rezultuar se Lara ka qenë i saktë në deklarimin e marrjes dhe shlyerjes së saj. Shtetasi që i ka dhënë hua, rezulton se nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huas. Për këtë konstatim, gjyqtarit i ka kaluar barra e provës. Subjekti ka dhënë shpjegimet e tij për këto konstatime, duke dorëzuar prova që vërtetojnë fitimin neto të shoqërisë së administruar nga personi që ka dhënë huan.
Gjithashtu, është deklaruar edhe një hua tjetër, që i ka dhënë kunati. Huaja vërtetohet nga banka dhe nuk kanë rezultuar probleme. Bashkëshortja ka deklaruar llogari page në vlerën 35 mijë lekë. Djali ka deklaruar llogari rrjedhëse në vlerën e 20 mijë lekëve. Nëna e subjektit ka deklaruar depozitë 19 mijë lekë në bashkëpronësi me gjyqtarin. Nga hetimet për këto pasuri, nuk janë konstatuar problematika.
Në lidhje me figurën, DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Edhe nga hetimi nuk ka pasur të dhëna që subjekti është përfshirë në kontakte të papërshtatshme apo afera korruptive. Në lidhje me aftësitë profesionale, ka rezultuar se gjyqtari është vlerësuar pozitivisht nga KLD, edhe nga verifikimi i KPK, nuk kanë rezultuar problematika.
Nga 5 denoncime të publikut, është veçuar një denoncim nga dy shtetas që janë akuzuar si pjesë e “Hakmarrjes për Drejtësi”, se janë dënuar padrejtësisht nga trupa e Apelit, pjesë e të cilës ka qenë edhe Lara. Denoncuesit kanë pretenduar se gjyqtari është korruptuar politikisht dhe ka probleme me aftësitë profesionale.
Nga verifikimet, konstatohet se këtë vendim ndaj O.Sh., L.SH. e të tjerë, e ka ndryshuar një tjetër trup gjykues e Apelit. Për këtë konstatim subjektit i është kërkuar shpjegime të cilat KPK do ti shqyrtojë para marrjes së vendimit.