AKTUALITET, 27 Maj 2019, 10:59

Atentati në Vlorë, flet xhaxhai i viktimës: Kishte kryer krime, nipin e kisha të qetë

Atentati në Vlorë, flet xhaxhai i viktimës: Kishte kryer krime,


Xhaxhai i 22-vjeçarit që u vra gjatë atentatit të sotëm në Vlorë ka treguar detaje nga ngjarja e frikshme.

Mhilli është shprehur se nipi i tij Sotiraqi që mbeti i vdekur nga breshëria e plumbave ishte tip i qetë.

Përsa i përket shënjestrës së atentatit, xhaxhai i viktimës shprehet se ende nuk e dinë si qëndron e vërteta ndërkohë që në fshat të gjithë kishin dijeni se Eno Mata kishte kryer krime në Greqi.

“Sotiraqi nuk ka shkuar jashtë shtetit. Nipin e kisha tip të qetë, nuk ishte problematik. Në fshat e dinim që Eno Mata ka kryer krime në Greqi, por këtu nuk kishte konflikte.

Nuk dimë si qëndron e vërteta. Familjarët e Matës jetojnë në Greqi, kurse ai ka dy vite që është kthyer në Shqipëri,”- mësohet të jetë shprehur Mhilli.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme rreth orës 01:10. Persona ende të paidentifikuar zbrazën dy kallashnikovë mbi dy të rinjtë që po udhëtonin mbi një motor, duke lënë të vdekur shokun e shënjestrës, Sotiraq Mhillin, 22-vjeç.

Mata mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Pak orë pas atentatit u gjet një automjet i tipit “Mercedez benz”, që mendohet të jetë përdorur nga autorët. Ngjarja dyshohet se ka lidhje me të shkuarën problematike të 32-vjeçarit në Greqi.

Shënjestra kërkohet nga drejtësia e shtetit fqinj për vrasjen e avokatit grek Mihalesi Zafiropoulos, ngjarje e ndodhur më 12 tetor 2018.