TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ambasada e SHBA-së ka bërë një reagim të fortë ku mbështet punën e SPAK, teksa në mesazhin e saj lë të kuptohet se oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit janë kërcënuar në kryerjen e punës së tyre.
Reagimi i Ambasadës, vjen pak ditë pas sekuestrimit të pronave të biznesmenit Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu), një ngjarje që po përcillet me mjaftë bujë në opinionin publik.
“Ambasada e SHBA-së mbështet me fōrcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur. Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krīmin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”, shkruhet në reagimin e SHBA-së.
Deklaratën e ambasadës, e ka shpërndarë edhe ambasadorja Yuri Kim, e cila e ka shoqëruar me një mesazh në llogarinë e saj personale.
"Rastet e rëndësishme shpesh shoqërohen me fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe konfuzion, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën, për t’i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur – asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK & ASP”, nënvizon Yuri Kim.
SPAK ka sekuestruar 26 pasuri të Ylli Ndroqit, me arsyetimin se vlera e tyre nuk justifikohet dhe se ka dyshime se mund të jenë përftuar si rezultat i aktivitetit të paligjshëm. Nga ana tjetër, avokatët e Ndroqit e kanë apeluar vendimin për sekuestrimin e pronave, duke u shprehur se pasuritë e zotit Ndroqi janë të ligjshme.
