AKTUALITET, 20 Mars 2018, 12:27

Pas firmës për negociatat me Greqinë, Presidenti Meta flet për emrin e ri në palën shqiptare

Pas firmës për negociatat me Greqinë, Presidenti Meta flet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke komentuar dhënien e plotfuqishmerisë për negociatat me Greqinë për paktin detar ka bërë të ditur se është realizuar një bashkëpunim mjaft konstruktiv dhe i dobishëm për një proces solid e kushtetues për negociata sa më të suksesshme.

Reagimi i Metës vjen vetëm një ditë pasi firmosi plotfuqinë për negociatat me Greqinë.

“Besoj se tashmë kemi realizuar një bashkëpunim mjaft konstruktiv dhe të dobishëm, për të pasur një proces solid e kushtetues, por edhe tekniko ligjore për negociatat sa më të suksesshëm. Unë besoj se është bërë një punë mjaft e konsiderueshme dhe jemi në një proces solid nga pikëpamja kushtetuese”, – tha Meta, në një prononcim për gazetarët pas aktivitetit për bektashinjtë.

I pyetur dhe për emrin e negociatorit të ri të shtuar në palën shqiptare, atë të Ksenofon Krisafit, presidenti i Shqipërisë u shpreh se ishte një propozim shumë poziziv. “Ka qenë një propozim shumë pozitiv dhe mjaft i mirëpritur nga ana ime, pasi është një personalitet me mjaft eksperiencë në drejtësinë ndërkombëtare”- tha Meta.