AKTUALITET, 20 Mars 2018, 11:06

Detajet/ 32-vjeçari në Dibër u ekzekutua me tre plumba, autorët e thirrën në emër

Një ngjarje e rëndë tronditi pak pas mesnate Dibrën, ku një 32-vjeçar u gjet i vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij.

Pas identifikimit të viktimës, të tjera detaje janë zbuluar nga kjo ngjarje e rëndë.

Mësohet se autorët e kanë pasur shumë të lehtë për ta bërë ekzekutimin, se banesa është në rrugën kryesore që të çon te rrethrrotullimi i Maqellarës.

Sipas dëshmive të para të mbledhura nga policia, besohet se autorët e këtij atentati kanë qenë dy persona.

Nga sa mësohet, ata i kanë thirrur në emër viktimës dhe më pas e kanë vrarë me tre plumba në gjoks.

Sipas policisë, autorët kanë lënë disa gjurmë në vendin e ngjarjes, çka mund të ndihmojë për zbardhjen e krimit dhe identifikimin e autorëve.

Elsi Kosiqi, 32-vjeçari që mbeti i vrarë mësohet se kishte punuar disa kohë në Itali dhe se ishte i martuar, baba i tre fëmijë. Ai së fundmi bashkë me vëllzërit kishin ngritur një hotel në zonën e llixhave.

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se personat që kanë qëndruar me të, mund ta dinë autorin e ngjarjes. Gjithsesi deri më tani nuk ka një të dyshuar për krimin.