TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga megaoperacioni i koduar “One If – By Land”, ku u vunë në pranga 50 persona, detaje të reja kanë dalë për kreun e bandës, që falsifikonte dokumentet e identifikimit për të trafikuar në mënyrë klandestine shqiptarët drejt Kanadasë dhe SHBA.
Banesa e çiftit Muçollari, ishte kthyer në një laborator që falsifikonte dokumente ndodhej te Kodra e Diellit.
Sipas policisë, Eno Muçollari kishte ndërtuar një laborator që kryente falsifikimin e kartave të identitetit dhe të pasaportave.
Pjesë e kësaj skeme ishte edhe bashkëshortja e tij, e cila është arrestuar tanimë, Lirije Muçollari. Apartamenti i tyre nga sa bëhet e ditur është mbajtur në vëzhgim për gati 3 muaj.
Lirije Muçollari, më 16 janar të këtij viti ka udhëtuar drejt Italisë, ku dyshohet se mori lëndën e parë që përdorej për të falsifikuar letërnjoftimet. Ajo u kthye 4 ditë më vonë dhe mësohet se brenda bagazheve të saj janë gjetur nga policia materialet si letra plastike, kartonë si ato të kartave të identitetit. Mirëpo, ajo u la e lirë të vazhdojë dhe është ndjekur kur është konstatuar se ajo është kthyer në banesën te Kodra e Diellit, ku ka takuar disa persona të ndryshëm po atë ditë.
Ndërkohë që janë kapur biseda telefonike dhe videopërgjime audio.
SKEMA E TRAFIKUT
Sipas burimeve nga policia, personat e përfshirë në trafikun klandestin pasi dublikonin pasaportat, vidhnin identitetet dhe më pas vendosnin fotot e personave që interesoheshin për të ikur në SHBA apo në Kanada. Burime për “GSH” bënë me dije se operacioni ka nisur prej më shumë se një viti më parë, ndërsa përveç policisë shqiptare, ky operacion u asistua edhe nga oficerë të SHBA-së. Të gjitha strukturat e Policisë se Shtetit, po vijojnë aksionin paralelisht në Tiranë, Lezhë, Kukës, Dibër, Shkodër dhe Korçë, ku janë shoqëruar dhe arrestuar dhjetëra persona. Gjithashtu, burimet e mësipërme sqaruan se operacioni vijon dhe po bëhet i koordinuar për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa mendohet se pjesë e kësaj skeme janë më shumë se 60 persona. Ndërkaq, nga kontrollet, personave që u arrestuan u janë sekuestruar shumë dokumente, pajisje që shërbenin për falsifikimet, por edhe shuma të ndryshme monetare. Për operacionin punuan edhe 2 agjentë speciale të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, të atashuar pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
ITINERARET E TRAFIKUT KLANDESTIN
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, itineraret që përdornin pjesëtarët e 7 grupeve të strukturuara kriminale janë: Shqipëri-Itali- Mbretëri e Bashkuar; Shqipëri-Francë-Mbretëri e Bashkuar; Shqipëri- Bullgari-Belgjikë-Republika Domenikane-SHBA/Kanada dhe Shqipëri- Spanjë-Amerika Latine-SHBA/Kanada.