AKTUALITET, 11 Mars 2019, 22:00

Pas Dades edhe Kodheli sulmon Ramën: Përgjegjës për situatën në vend

Pas Dades edhe Kodheli sulmon Ramën: Përgjegjës për

Deputetja e Partisë Socialiste, ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka qenë e ftuar në “Ora News” ku ka reaguar ashpër ndaj qeverisë.

Sipas saj, mazhoranca ka përgjegjësitë e veta për ngërçin dhe situatën politike në vend.

Kodheli shkon edhe më tej kur thotë se, “mua më vjen shumë keq që retorika politike e ka sjellë vendin në këtë derexhe”, ndërsa shton se nuk është mirë që gjithçka po ndodh në prag të vendimit për negociatat.

“Qeveria duhet të ndjejë përgjegjësi për të gjitha situatat e krijuara në vend, problemi është që qeveria nuk është aktori dhe faktori i vetëm i jetës politike, ndaj në një demokraci funksionale duhet që të dyja anët e ekuilibrit politik të funksionojnë në mënyrë që gjërat të shkojnë më mirë se ç’duhet. Patjetër që qeveria ndjen dhe ka përgjegjësitë e veta. Mua më vjen shumë keq që retorika politike e ka sjellë vendin në këtë derexhe. Në të gjitha momentet e rëndësishme, kush ka ditur të tregohet burrë apo grua shteti apo forcë politike serioze e ka demonstruar këtë përtej gjithë retorikës politike dhe vështirësive që ka pasur në atë moment politika. Të krijohet ideja sikur ka një acarim social që nuk është e votuesve por e politikës në momente kyçe siç është hapja e negociatave”, është shprehur Kodheli.

Kujtojmë që Mimi Kodheli është një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama që prej kohës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Por “shuplaka” e sotme e saj ndaj qeverisjes së tij vjen pas asaj të ish-deputetes së PS, Arta Dade.