AKTUALITET, 10 Maj 2019, 15:38

Pas ‘Ballistëve’ dhe Kujtim Gjuzit, një tjetër aleat braktis Bashën. Kandidati i Tiranës kërkon mandatin në KQZ (EMRI)

Pas ‘Ballistëve’ dhe Kujtim Gjuzit, një tjetër aleat


Partia Demokratike është braktisur nga një tjetër aleat i zgjedhjeve të 2017-ës.

Kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenishehri, i cili kandidoi në zgjedhjet e shkuara në listat e PD-së, ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Jenishehri, ishte në listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, me numrin 46. Por pas refuzimeve të njëpasnjëshme, kreut të Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë i ka ardhur ftesa që të jetë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë.

Me dorëzimin e formularit Selami Jenishehrit i lind e drejta që të marrë mandatin e deputetit në Qarkun e Tiranës.

Ndërkohë që në CV-në  e tij ai shkruan se është me arsim të lartë dhe me profesion mësues matematike dhe fizike dhe jeton në Shkodër.

Vendimi i PD-së për të djegur mandatet ka sjellë largimet nga radhët e saj, veçanërisht të aleatëve të saj.

Në Parlament kanë hyrë dy kryetarët e Partive të Ballit, Artur Roshi dhe Adriatik Alimadhi, kreu i Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, kryetari i Partisë Demokracia e re Europiane,Koçi Tahiri, si dhe Zef Shtjefni dhe Nikolin Staka.