TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kilet e tepërta dhe nevoja për të patur një trup të palestruar duket se ka çuar drejtuesit e Autoritetit Portual të Durrësit drejt vendimit për blerjen e disa pajisjeve, të cilat do iu zgjidhin këtë problem.
Tpz.al disponon dokumentet e një tenderi nga Autoriteti Portual Durrës, ku objekti është për “blerje pajisje palestre” me një fond limit 7.250.000 lekë. Kohëzgjatja për ekzekutimin është 60 ditë nga data e lidhjes së kontratës. Ndërkohë sipas dokumentave të siguruara nga Tpz.al, rezulton se ky institucion tashmë do të ketë pistë vrapimi, biçikletë, gira, gjyle etj. Të gjitha këto pajisje do të shërbejnë për tonifikimin e trupit, dhe pse jo të shtimit të muskujve.
Autoriteti portual i Durrësit kontrollon hyrje daljet e mallrave dhe pasagjerëve nga porti më i madh në Shqipëri. Ndërkohë, që gjeneron ligjërisht miliona euro fitime për shtetin, pasi merr taksë nga sheshet, tragetet, anijet e deri te pasagjerët.
Megjithatë, drejtori i këtij institucioni, Artjan Qirici bashkë me vartësit e tij, kanë filluar të shëndoshen. Dhe, për të hequr kilet apo stresin, kanë menduar që në ambientet e portit të bëjnë edhe një palestër.
Sipas dokumenteve, ky autoritet kërkon 29 pajisje për palestrën;
Çmenduritë e zyrtarëve dhe institucioneve shtetërore, për të shpenzuar paratë publikë, nuk kanë kufij. E njëjta “sëmundje” për të bërë palestër, duket se i ka prekur edhe institucionet e tjera të kontrollit të kufirit. Në mesin e vitit 2016, të njëjtin tender, me objekt “Blerje dhe instalim pajisje për palestër” bëri edhe Albcontrol, shoqëria shtetërore që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare.
Drejtoresha e Albcontrol, Belinda Balluku, shpenzoi plot 61 milion lekë të vjetra për vegla palestre. Kjo tregon edhe njëherë, se shpërdorimi i fondeve publike ka infektuar çdo institucion, duke kaluar në heshtje çdo abuzim. Duket sikur këta drejtues nuk kanë punë për të bërë, dhe kohën e lirë kanë vendosur ta kalojnë duke bërë palestër.
Tpz.al do të vijojë të denoncojë çdo qindarkë e qytetarëve që shpërdorohet nga zyrtarët qendrorë e lokal si dhe drejtues institucionesh./TPZ.AL/E.H/
