AKTUALITET, 3 Mars 2018, 11:32

Pakti me Greqinë, zbardhen porositë e Metës për deputetët

Pakti me Greqinë, zbardhen porositë e Metës për

Presidenti Ilir Meta zhvilloi mëngjesin e djeshëm një dëgjesë për 90 minuta me deputetët e Komisionit të Politikës së Jashtme në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë. Deputetët e Komisionit të Jashtëm biseduan në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë dhe komunikimin mes kreut të shtetit dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ky vendim i presidentit u mor pas kërkesës së opozitës në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit për të thirrur edhe presidentin në seancë dëgjimore, pas asaj të zhvilluar me ministrin Bushati.

Gjatë takimit, Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe informoi deputetët me qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje, duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet. “Kreu i shtetit vlerëson frymën bashkëpunuese dhe konstruktive, që karakterizoi bashkëbisedimin me deputetët e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Në përfundim të takimit, deputetët e opozitës u shprehën se edhe mazhoranca ra dakord që qëndrimi i presidentit ishte korrekt.

“Pas parashtrimit të presidentit lidhur me qëndrimin e tij, ramë dakord që të gjithë që qëndrimi i presidentit është korrekt dhe i përgjigjet përgjegjësisë dhe detyrimit që ka për të qëndruar tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka. Ndërkohë që kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli theksoi se marrëveshja është shumë e rëndësishme edhe përsa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. “Ramë dakord dhe ndamë të njëjtin mendim me presidentin lidhur me nevojën që kjo marrëveshje të mos dështojë, me nevojën dhe meritën që ka vendi ynë për të hapur negociatat me BE. Këta janë elementë të domosdoshëm që e bëjnë këtë marrëveshjen më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me atë greke”, theksoi Kodheli. Ndërsa Tritan Shehu tha se çështja duhet të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare.

Pas takimit me kreun e shtetit, deputeti demokrat Tritan Shehu konfirmoi se, “ishte një takim i mirë me presidentin, i cili na shpjegoi hapat e tij në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne shprehem mbështetjen tonë për të respektuar Kushtetutën dhe transparencën, si linja e domosdoshme për t’u ndjekur në marrëveshjet me dy vendeve.

Ne paraqitëm shqetësimet tona, pasi në këtë proces ka shkelje të kushtetutshmërisë dhe mungon transparenca apo problemet me grupin e negociatorëve”. Sipas Shehut, ka shkelje që në nisje të procesit të nisur nga qeveria shqiptare. Shehu tha se çështja duhet të zgjidhet në Gjykatën e Hagës.