AKTUALITET, 4 Nëntor 2020, 01:37

Numërimi i votave në SHBA, garë e ashpër në shtetet kyçe. Kush po udhëheq deri tani?!

Numërimi i votave në SHBA, garë e ashpër në shtetet


SHBA- 

Në SHBA vijon numërimi i votave dhe në shtetet kyçe po zhvillohet një garë e ashpër.

Kandidatët kanë fituar zonat tradicioanle, por ende nuk ka rezultate të qarta për shtetet kyçe, që zakonisht i vendosin zgjedhjet.

Të dy kandidatët janë shprehur optimistë për rezultatin, ndërsa Trump ka deklaruar se "zgjedhjet po vidhen", duke shkaktuar reagime të shumta.


10:50

Fushata e Biden e gatshme të përballet në Gjykatën e Lartë

Zyrtarë të fushatës së kandidatit demokrat, Joe Biden, thanë se janë të gatshëm të përballen me presidentin Donald Trump, nëse ai dërgon në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndërprerjen e numërimit të votave.

Nëse ndodhë një gjë e tillë "ne i kemi ekipet ligjore të gatshme për t'i rezistuar kësaj përpjekjeje," tha menaxherja e fushatës së zotit Biden, Jen O'Malley Dillon.


09:20

Biden fiton Arizonën, shtet kyç për zgjedhjet. 

Joe Biden ka arritur të fitojë shtetin e Arizonës, i cili ka 11 vota elektorale, shumë të rëndësishme për rezultatin e zgjedhjeve, i cili do të varen nga pak shtete kyçe.

Arizona nuk ishte fituar nga një kandidat demokrat që prej vitit 1996.

Në zgjedhjet e shkuara, Trump arriti të fitojë Arizonën, në garën kundër Hillary Cinton, por duket se në këto zgjedhje ai nuk ka mundur të mbajë avantazhin mbi këtë shtet.


08:30

Trump deklaron se ka fituar zgjedhjet, por se ato po manipulohen dhe se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. 

Trump tha se ai i ka fituar zgjedhjet, por sugjeroi se ato po manipulohen nga kampi kundërshtar. Presidenti paralajmëroi se do të shkojë në Gjykatën Supreme, por pa shpjeguar arsyet përse do të shkojë.

Ky është një mashtrim ndaj popullit tonë, është një turp për popullin tonë. Ne po bëheshim gati t’i fitonim zgjedhjet dhe ne i fituam zgjedhjet. Ky është mashtrim i madh për kombin tonë. Ne do të shkojmë në Gjykatën Supreme. Ne duam të ndalojë votimi, që të mos shtohen votat“, tha ndër të tjera Presidenti.

Trump nuk paraqiti asnjë provë se si po manipulohen zgjedhjet, ndërkohë që votat vijojnë të numërohen.


08:11

Trump fiton në Teksas dhe Montana, Biden në Minesota

Trump fiton në Teksas me 38 vota elektorale, Montana me 3 vota dhe në Ajova me 6, Biden në Minesota me 6. Nebraska ndahet: Trump fiton 4 vota, Biden 1. (Dy shtete i ndajnë votat elektorale në varësi të votës popullore që fitojnë kandidatët).


07:20

Biden në Twitter pas postimeve të Presidentit Trump: U takon zgjedhësve të shpallin fituesin

Pas postimeve në Twitter të Presidentit Donald Trump, kandidati demokrat Joe Biden, shkruan në Twitter se "nuk më takon as mua, as Donald Trumpit të shpallim votuesin. U takon votuesve".


06:52

Trump shkruan në Twitter: Zgjedhjet po vidhen! 

Presidenti Trump u drejtohet mbështetësve në Twitter: "Ne jemi shumë më përpara por ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne nuk do t'i lejojmë ata kuirrë ta bëjnë këtë. Votat nuk mund të hidhen pasi të jenë mbyllur qendrat e votimit."


06:46

Ashpërsohet gara zgjedhore, Biden flet përpara mbështetësve

Ndërkohë që gara zgjedhore po ashpërsohet, kandidati Biden foli përpara mbështetësve: "Ndihemi mirë për pozicionin që kemi deri tani. E dimë se për shkak të votimeve të hershme të papara do të duhet të presim ca," tha ai. Zoti Biden shprehu besimin se ai do ta fitojë Pensilvaninë, një shtet mjaft i rëndësishëm që mund të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve. Zoti Biden u tha mbështetësve: Kini besim, mbani shpresën gjallë, ne do ta fitojmë këtë garë"! Zoti Biden i bëri komentet nga shteti Delauer.


5:22

Biden fiton shtetin Nju Hampshër, Trump fiton Kansasin

Biden fiton shtetin Nju Hampshër me 4 vota elektorale, Trump fiton Kansasin me 6 vota.


05:20

Trump fiton shtetet Juta, Uajoming dhe Dakota e Veriut

Trump fiton shtetet Juta me 6 vota elektorale, Uajoming me 3 vota dhe Dakota e Veriut me 3 vota elektorale.


05:13

Biden fiton në shtetet Kaliforni, Oregon dhe Uashington

Biden fiton në shtetet Kaliforni me 55 vota elektorale, Oregon me 7 dhe Uashington​ me12 vota.


04:22

Biden fiton në shtetin e Kolorados

Kolorado ka 9 vota elektorale.


04:15 Trump fiton shtetet Alabama, Arkansas, Dakota e Jugut dhe Tenesi

Alabama ka 9 vota elektorale, Arkansas 6, Dakota e Jugut 3 dhe Tenesi 11.


03: 49

Biden fiton në Një Jork, Nju Xhërsi, Uashington DC

Ish-nënpresidenti Biden ka fituar në Nju Jork, Nju Xhërsi, Uashington DC, me nga 29, 14 dhe 3 vota respektivisht.  Zakonisht këto shtete votojnë për demokratët. Parashikimet e deritanishme tregojnë se Presidenti Donald Trump ka fituar në Indiana, Kentaki dhe Oklahoma. Zakonisht këto shtete votojnë për republikanët, megjithëse në vitin 2008 Indiana votoi për ish-Presidentin Barack Obama. Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden kanë siguruar, sipas këtyre parashikimeve 26 dhe 73 vota elektorale respektivisht. Nju Jorku ka 29 vota elektorale, shteti me numrin më të madh deri tani. Në Florida, një shtet fushëbetejë, përqindjet e tyre janë shumë pranë njëra-tjetrës. Nga shtetet vendimtare, Florida pritet të jetë ndër të parat që mund t'i nxjerrë rezultatet. Ky shtet ka 29 vota elektorale.


01:26

Trump fiton Indianën dhe Kentakin, demokrati Biden fiton Vermontin

Sipas parashikimeve të deritanishme, Presidenti Donald Trump ka fituar në shtetet e Indianës dhe Kentakit, ndërsa demokrati Joe Biden ka fituar në Vermont. Shteti i Indianës ka 11 vota elektorale, shteti i Kentakit ka 8 dhe shteti i Vermontit ka 3. Kjo do të thotë se deri tani Presidenti Trump ka 19 vota elektorale dhe zoti Biden, 3.