AKTUALITET, 3 Nëntor 2020, 21:06

Shuplakë e rëndë nga Hollanda, kundër nisjes së bisedimeve: Shqipëria nuk plotëson kushtet!


Pozicioni i Hollandës, kundër nisjes së bisedimeve të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe mbajtjes së tryezës së parë ndërqeveritare, është konsoliduar tashmë. Parlamenti holandez i ka thënë "Jo" nisjes së bisedimeve.

Arsyeja përse vendimi është negativ për Shqipërinë, lidhet me mosplotësimin e kushteve nga vendi ynë. Bëhet fjalë për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, mungesën e ndëshkueshmërisë për krimet në nivelet e larta dhe reformën zgjedhore, të cilën Edi Rama e miratoi në mënyrë të njëanshme, duke injoruar opozitën jashtë parlamentare dhe duke i vendosur vetë rregullat e lojës për zgjedhjet e 25 prillit.

Edhe pse u paralajmërua nga presidenti i Republikës, Meta, se ky veprim do të ndikonte negativisht në integrimin e vendit, Rama nuk u tërhoq. Madje, ai injoroi edhe thirrjet e vazhdueshme të komisionierit Varhelyi për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias dhe për ta miratuar Kodin Zgjedhor pas këtij opinioni.

Lajmin për një refuzim të Hollandës, e ka konfirmuar në Twitter, raporteri për Shqipërinë në parlamentin hollandez, Pieter Omtzigt.

“Patëm një debat në parlamentin hollandez. Qeveria holandeze ministri Blok, deklaroi qartë se Shqipëria nuk i përmbush parakushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Kjo do të thotë se ai nuk do të japë pëlqimin. Problemet e diskutuara përfshijnë vendet vakante në Gjykatën e Lartë, ndjekjen penale të krimit në nivelet e larta dhe reformën zgjedhore, veçanërisht pjesën e dytë të njëanshme të asaj “reforme”. – shkruan ai.

Që prej ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet në vitin 2013, Shqipëria ka patur një regres, sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, ndërkohë që vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi, tashmë edhe Maqedonia, po avancojnë më shpejt se vendi ynë.

Kryeministri Rama, shpesh ka bërë fajtor dinamikat e brendshme në Bashkimin Europian, duke mos marrë asnjë përgjegjësi për dështimin.

/TPZ.al/