TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Viti 2020 edhe në sport ishte një vit i pazakontë. Pandemia e Covid-19 i detyroi organizatorët të anullonin aktivitete të mëdha ndërkombëtare të planifikuara dhe t’i shtynin ato, të tilla si Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Kampionati Europian “Euro 2020”, apo edhe Botërorët e Moshave të Organizuar nga FIFA. Shumë nga fituesit e kampionateve kombëtare apo dhe kompeticionet më të mëdha u kurorëzuan pa praninë e spektatorëve në tribuna.
Tpz.al sjell për dashamirësit e sportit një përzgjedhje me “Dhjetë ngjarjet” më të spikatura të vitit 2020, kampionë shqiptarë apo europianë, ndarjen nga jeta të sportistëve të mëdhenj që kanë bërë histori, apo dhe të veçanta që kanë lënë gjurmë në këtë vit të “mbrapshtë” të ndikuar tërësisht nga koronavirusi.
1-VDEKJA TRAGJIKE E KOBI BRAJANT
Më 16 janar 2020, vdiq në moshën 41-vjeçare, në një aksident tragjik pas rrëzimit të helikopterit për shkak të mjegullës së dendur në Calabasas, Kaliforni, ish-legjenda e basketbollit amerikan, Kobi Brajant. Pesë herë kampioni i NBA-së ndërroi jetë së bashku me vajzën e tij 13-vjeçare, Gianna, gjashtë miq të familjes si dhe pilotin. Kobi Brajant ishte dy herë fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike me ekipin e basketbollit të Shteteve të Bashkuara.
2.TIRANA, KAMPIONE E SHQIPËRISË, TITULLI NR.25
Më 29 korrik 2020, Tirana shpallet kampione e Kategorisë Superiore, duke fituar titullin e 25-të të historisë, që e konsakron si skuadrën më të suksesshme të futbollit shqiptar. Një titull që përkon me 100-vjetorin e themelimit klubit (1920), por i festuar pa praninë e tifozëve në stadium për shkak të pandemisë së Covid-19. Ky është titulli i Tiranës, që rikthehet të ngrejë lart trofeun më të rëndësishëm në vend, pas plot 11 vitesh. Meritë ka dhe trajneri nigerian Emanuel Egbo.
3.TEUTA FITON KUPËN DHE SUPERKUPËN E SHQIPËRISË
Më 2 gusht 2020, në vitin e 100-vjetorit ka festë edhe për Teutën. Durrsakët mposhtën 2-0 Tiranën në finalen e Kupës së Shqipërisë duke e fituar për herë të 4-t në histori këtë kompeticion. Pas 15 vitesh Teuta fitoi sërish një trofe dhe e bëri këtë në vitin 100-vjetorit të themelimit të klubit. Një triumf më se i merituar për Teutën që për të mbërritur deri trofeu i Kupës, eliminoi me radhë, Tërbunin, Erzenin, Vllazninë, Kukësin dhe në finalen mposhti bardhelutë kampionë të Superiores. Pas Kupës së Shqipërisë, Teuta fiton edhe Superkupën. Durrsakët fituan për herë të parë në historinë e klubit, trofeun e tretë për nga rëndësia në vend, pasi mposhtën në finale, kampionët e Superiores Tiranën, 2-1 (më 31 gusht 2020).
4-BAYERN MUNICH, FITUES I LIGËS SË KAMPIONËVE
Më 23 gusht 2020, Bayern Munich pas fitores 1-0 me francezët e PSG-së, falë golit të Coman, fitoi për herë të gjashtë Ligën e Kampionëve. Një finale e luajtur pa tifozë dhe e shtyrë në kohë, për shkak të pandemisë. Skuadra gjermane i ka fituar të pesta kompeticionet ku ka marrë pjesë këtë vit në Europe dhe futbollin vendas: Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës (në finale fitoi kundër Sevilla) , Bundesligën, Kupën e Gjermanisë si dhe Superkupën e Gjermanisë. Një sukses i padiskutueshëm i skuadrës, por dhe trajnerit Hansi Flik.
5-VDEKJA E LEGJENDËS DIEGO ARMANDO MARADONA
Më 25 nëntor 2020, bota e futbollit u trondit nga një lajm i hidhur. Legjenda e këtij sporti, Diego Armando Maradona, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Dy javë më parë kish te kryer një ndërhyrje kirurgjikale në kokë, për shkak të një mpiksje gjaku në tru. Maradona vlerësohet gjerësisht si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave dhe adhurohej në gjithë botën. Midis të tjerave, ai është kampion i botës me Argjentinën në vitin 1988 dhe autori i golit të quajtur “Dora e Zotit”, të realizuar kundër Anglisë. Për ndër të legjendës argjentinase, stadiumi i Napolit tani quhet “Diego Armando Maradona”.
6.LEWIS HAMILTON BARAZON REKORDIN E MICHAEL SHUMACHER
Më 15 nëntor 2020, Lewis Hamilton fiton Çmimin e Madh të Turqisë dhe u kurorëzuat kampion i botës në Formula 1 për herë të shtatë në karrierë, duke barazuar rekordin e legjendës Michael Shumacher. Britaniku 35-vjeçar i skuderisë “Mercedes” ka fituar në sezonet 2008, 2014, 2015, 2017, 2018, 2019, 2020. Ai mban rekordet për më shumë fitore (95), më shumë pole position (98) dhe më shumë podiume (165), midis të tjerash. Ai konsiderohet si një ambasador i Formula 1. Hamilton u listua në vitin 2020 nga “Time” si një nga 100 njerëzit më influencë globalisht.
7.KOMBËTARJA FITON GRUPIN 4 DHE NGJITET NË LIGËN B TË LIGËS E KOMBEVE
Më 18 nëntor 2020, Shqipëria e Edy Reja, i mbyll me sukses të trefishtë eliminatoret e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve: vendi i parë në grup, ngjitja në Ligën B për sezonin e ardhshëm dhe përfitimi i bonusit prej 1.5 miliardë lekë nga UEFA. Kuqezinjtë fituan 3-2 me Bjellorusinë në “Air Albania”, duke u renditur përfundimisht të parët në Grupin 4 të Ligës C me 11 pikë (një pikë më shumë se Bjellorusia). Objektiv i arritur nga Kombëtarja, por edhe trajneri italian Edy Reja. Një udhëtim që nisi me fitoren 0-2 ndaj Bjellorusisë në Minsk dhe përfundoi pas gjashtë takimesh, po me fitoren 3-2 ndaj Bjellorusisë në Tiranë.
8.GJIMNASTI RUS KAMPION I EUROPËS PËR SHQIPËRINË
Më 13 dhjetor 2020, Shqipëria arrin të sigurojë një medalje të artë në Kampionatin evropian të gjimnastikës artistike për meshkuj të zhvilluar në Mersin të Turqisë dhe merita i shkon një gjimnasti rus, Matvei Petrov. I pajisur me një pasaportë shqiptare, Petrov bëri që në qytetin turk të dëgjohej himni i Shqipërisë, teksa ai fitoi medaljen e artë në kategorinë e kalimit të kalit me doreza. Petrov, tri herë kampion i Rusisë në kalimin e kalit me doreza e bëri debutimin e tij për Shqipërinë në Cmimin e madh te Brnos në nëntor të vitit të kaluar.
9.ROBERT LEWANDOWSKI, “LOJTARI MË I MIRË” NGA FIFA
Më 17 dhjetor 2020, sulmuesi polak i Bayern Munich, Robert Lewandowski, u shpall me meritë “Lojtari më i mirë në botë për vitin 2020” nga FIFA. Ai mposhti në fazën finale dy yjet e futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Sulmuesi polak kaloi një vit magjik me Bayernin e Mynihut, pasi jo vetëm ka fituar çdo trofe të mundshëm, por ka shënuar edhe një numër të konsiderueshëm golash. Pasi riktheu Liverpoolin te titulli kampion pas 30 vitesh, trajneri gjerman Jurgen Klopp u përzgjodh si trajneri më i mirë i vitit, ndërsa gardiani i Bayern Munich, Manuel Neuer u zgjodh si portieri i vitit dhe koreano-jugori Hueng Min Son mori çmimin Puskas për golin më të bukur.
10.CRISTIANO RONALDO, “LOJTARI MË I MIRË I SHEKULLIT”
Më 27 dhjetor 2020, Në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe u organizua ceremonia e “Globe Soccer Aëards 2020”, ku u shpërndanë çmimet për protagonistët e futbollit botëror të sezonit të kaluar dhe të viteve 2000 (shekulli i ri). Protagonist i madh i mbrëmjes ishte Cristiano Ronaldo, i cili u zgjodh “Lojtari më i Mirë i Shekullit” përpara rivalit të tij të përjetshëm, Leo Messi. Titulli i “Lojtarit më të Mirë të Vitit” shkoi për sulmuesin polak, Robert Lewandowski. Sa u përket çmimeve e tjera të njëzet viteve të fundit, Guardiola u emërua trajneri më i mirë, klubi më i mirë Real Madridi dhe menaxheri më i mirë, Mendes. Për titujt e tjerë të sezonit të kaluar, Flick shkëlqeu midis teknikëve rivalë, ndërsa Bayerni i Mynihut midis klubeve. Çmimi i karrierës iu dha spanjollëve Piqué dhe Casillas.
/ TPZ.al/