AKTUALITET, 29 Dhjetor 2020, 21:43

Dorëheqja e Cakajt, Meta: Duhet zhdekretuar Rama që të emërohet ministrja e re

Dorëheqja e Cakajt, Meta: Duhet zhdekretuar Rama që të

Dorëheqja e ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe emërimi nga kryeministri Edi Rama i disa ministrave të rinj, ishte lajmi i ditës sot në vend.

Por, për Presidentin e Republikës, Ilir Meta, kemi të bëjmë vetëm me largimin nga detyra të një zv.ministri dhe për emërimin e ministres së re, në këtë rast, Olta Xhaçka, duhet zhdekretimi i ministrit të jashtëm që është kryeministri Edi Rama.

“Për rastin konkret, kemi të bëjmë me një zv.ministër, i cili ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka lidhje me ministren e Jashtme në rastin konkret. Duhet të vijë kërkesa për zhdekretimin e ministrit të jashtëm Edi Rama, i cili është ministër i Jashtëm dhe emërimi i ministres së re është i lidhur me zhdekretimin e tij si ministër i Jashtëm. Nuk ka lidhje me detyrën e zv.ministrit. Ai është një akt vullnetar“, u shpreh presidenti Meta për “Tempora”.

Sipas gazetarit Edi Oga, për ministrin e ri të mbrojtjes Niko Peleshi, vijon hetimi për çështjen e pesticideve.

Por Meta u shpreh se: “Nuk e kam një informacion të tillë por unë praktikisht nuk jam njohur me propozimet zyrtare”.

Edi Oga: Nuk janë dekretuar akoma?

Ilir Meta: Jo akoma. Unë ende nuk i kam marrë propozimet.