NË FOKUS, 27 Prill 2023, 19:03

Çfarë premton Arlind Qori për Tiranën? Lexoni programin e plotë të "Lëvizja Bashkë"

Çfarë premton Arlind Qori për Tiranën? Lexoni programin e

"Lëvizja Bashkë", një parti e drejtuar nga Arlind Qori, garon në zgjedhjet e 14 majit, për postin e kryetarit të bashkisë dhe për anëtarët e këshillit bashkiak. 

Lëvizja e themeluar pak muaj më parë, si një parti politike e majtë, dikur e njohur si "Organizata Politike", zotohet për të qenë zëri i qytetarëve të Tiranës, kundër oligarkëve, korrupsionit, zaptimit të hapësirave publike, etj. 

Vizioni i Lëvizja Bashkë për Tiranën: (PROGRAMIN E PLOTË MUND TA LEXONI DUKE KLIKUAR KËTU!)

Tirana mund të bëhet qytet i njerëzve vetëm nëse ndalet logjika e çmendur e kullave dhe ndërtimeve pa kriter, duke ruajtur dhe rikuperuar hapësirën publike, duke i dhënë përparësi ndërtimit të parqeve e këndeve të lojërave, duke zgjeruar trotuaret dhe e shndërruar qytetin në hapësirë të ndërveprimit të njerëzishëm, kreativitetit, miqësisë dhe pjesëmarrjes demokratike.

Lëvizja BASHKË e konsideron strehimin një të drejtë sociale themelore, të cilën duhet ta gëzojë çdo njeri, pavarësisht mundësive ekonomike dhe kapacitetit për të paguar. Banesa nuk mund të jetë thjesht mall, por kusht parësor i jetës. Aty ku forcat e tregut dështojnë ta sigurojnë, është detyrë e një shteti serioz që të materializojë politika të strehimit të dinjitetshëm dhe të përballueshëm ekonomikisht.

Privatizimi dhe monopolizimi i sektorit të transportit publik ka rezultuar i dështuar në të gjithë elementët e cilësisë së shërbimit. Ndaj modeli i transportit publik të qëndrueshëm do të kërkonte marrjen në administrim publik të sektorit të transportit publik, hapjen e korsive të dedikuara, si dhe një sërë masash si në vijim.

Uji i pijshëm është një emergjencë shëndetësore e shoqërore në Tiranë. Dështimet e derisotme të një administrate bashkiake të korruptuar, klienteliste e të paaftë nuk mund të vazhdojnë asnjë ditë pas 14 majit. Nga ana tjetër, uji i pijshëm nuk mund të konsiderohet mall, të cilin jemi të detyruar ta blejmë me çmim të shtrenjtë nga kompanitë private të ujit të ambalazhuar.

Edukimi dhe formimi i fëmijëve dhe adoleshentëve është nga nevojat më të rëndësishme të qytetit. Detyrë e një bashkie të administruar me ndershmëri dhe vizion do të ishte sigurimi i infrastrukturës së nevojshme arsimore në të gjitha hallkat e saj, duke kontribuar në formimin e qytetarëve të ardhshëm dhe ndihmuar familjet aktuale.

Në lidhje me ndotjen e ujërave, është i domosdoshëm trajtimi i ujërave të zeza përpara se të shkarkohen në basenet lumore. Menaxhimi i mbetjeve të ngurta kërkon zbatimin e hierarkisë së zgjidhjeve të pranuara botërisht: zvogëlim i mbetjeve, ripërdorim, riciklim, incinerim dhe në fund trajtim në landfill.

Alternativa buxhetore e Lëvizjes BASHKË bazohet në parimet e progresivitetit të shëndoshë në taksim, lehtësimit të barrës fiskale për familjarët dhe bizneset e vogla, nxitjes së sipërmarrjeve të reja e kreative, luftës ndaj evazionit fiskal, sidomos mes bizneseve oligarkike, eliminimit të shpërdorimeve në shpenzime, orientimit të shpenzimeve drejt nevojave të vërteta të qytetarëve dhe llogaridhënien e transparencën maksimale ndaj qytetarëve.

Për Lëvizjen BASHKË qytetarët e Tiranës janë të barabartë dhe meritojnë të njëjtat të drejta dhe përkushtim nga shteti, pavarësisht nëse banojnë në qytet apo në fshat. 

Lëvizja BASHKË e sheh me përparësi çështjen e gruas dhe të grupeve të margjinalizuara. 

Në krye të Bashkisë së Tiranës, Lëvizja BASHKË do të demokratizojë thellësisht procesin e vendimmarrjes dhe do të bëjë transparencë të plotë me qytetarët për çdo akt e vendim të marrë prej saj.