TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbretëri e Bashkuar - Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Londër, ku është pritur nga homologu i tij, Rishi Sunak në Downing Street.
Rama dhe Sunak kanë biseduar paraprakisht me praninë e mediave, për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe.
Sunak tha se dy vendet kanë bashkëpunim të fortë dhe se kanë bërë progres në përpjekjet për ndalimin e emigrimit të paligjshëm. Ai përmendi gjithashtu sigurinë dhe bashkëpunimin për përballimin e sulmeve kibernetike.
Kryeministri Rama i tha Sunak se komuniteti shqiptar ka kontribute në Britaninë e Madhe dhe se jo të gjithë shqiptarët janë si personazhet e filmit "Taken", pra kriminelë. Rama shtoi se qeveria shqiptare po bën përpjekje për të goditur bandat kriminale.
Rama e ka ftuar Sunak të vizitojë Shqipërinë.
Kujtojmë se kohët e fundit, shqiptarët janë kthyer në çështje të ditës në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, që vijnë në MB kryesisht me gomone. Situata shqetësuese detyroi qeverinë britanike të prezantojë një ligj të ri, për kthimin e shpejtë të emigrantëve të paligjshëm, pa u dhënë atyre mundësinë e aplikimit për azil nga brenda territorit të MB.
Video: Momenti kur Rama pritet nga Sunak në Downing Street
Rama e nis ditën me kritika ndaj anëtarëve të kabinetit të qeverisë britanike
Kryeministri e nisi ditën, me një intervistë në programin "Today" në BBC Radio Four, duke shkaktuar polemika në shtypin britanik. Ai i'u rikthye deklaratave të ministres së Brendshme, Suella Braverman, duke i konsideruar ato si "të turpshme".
"Ne kemi parë komunitetin tonë të veçohet për shkaqe të politikës. Ka qenë një moment mjaft i turpshëm për politikën britanike", tha Rama, duke iu referuar deklaratave të Ministres së Brendshme, e cila fliste në Parlamentin britanik për "pushtim të vendit" dhe për "kriminelët shqiptarë", pas një rritje të jashtëzakonshme të numrit të shqiptarëve që kalonin me gomone nga Franca drejt Britanisë.
"Ne e refuzojmë këtë lloj bashkimi midis disa kriminelëve dhe shqiptarëve. T'i japësh krimit një vulë etnike, është në vetëvete një krim", shtoi Rama.
Pse u kthyen shqiptarët në çështje dite në Britani?
Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, u kthyer në një problem serioz për autoritetet britanike, kur papritur në vitin 2022, u vu re një rritje e jashtëzakonshme e kalimeve me gomone, situatë e cila e ktheu vëmendjen e autoritetetve drejt origjinës së problemit, Shqipërisë.
Gjatë muajve Maj-Shtator 2022, shqiptarët u kthyen në kombësinë me numrin më të lartë të kalimeve të paligjshme drejt MB me gomone, me rreth 42% të të gjithë kalimeve. Konkretisht 11,102 shqiptarë ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në vetëm pesë muaj, shifra këto që alarmuan autoritetet britanike.
Një tjetër statistikë, që sugjeron se ka një problem serioz të kriminalitetit shqiptar në MB, është numri i të burgosurve me kombësi shqiptare. Kështu, deri në fund të Qershorit 2022, shqiptarët ishin të parët për nga kombësitë e huaja, që popullonin burgjet e Anglisë dhe Uellsit, duke kaluar polakët dhe rumunët, të cilët kanë një diasporë disa herë më të madhe në Britani, krahasuar me atë shqiptare.
Shqiptarët u kthyen në çështje të ditës në mediat dhe politikën britanike, duke sjellë edhe përplasje të ashpra në distancë mes kryeministrit shqiptar dhe autoriteteteve vendase. Kryeministri Rama e quajti MB-në një "çmendinë", ndërkohë që dënoi retorikën e Ministres së Brendshme, Suella Braverman, e cila kishte mbajtur një fjalim të ashpër në parlament, ku fliste për "pushtim" të vendit dhe u referohej në fjalën e saj edhe "kriminelëve shqiptarë".
Retorika e ashpër u pasua nga një protestë e komunitetit shqiptar në Westminster, ku kërkonin distancimin e qeverisë nga deklaratat e Braverman.
Në dhjetor 2022 MB dhe Shqipëria u zotuan me anë të një marrëveshje për kthimin e shpejtë të emigrantëve të paligjshëm.
Në mars 2023, qeveria britanike prezantoi një ligj, sipas të cilit, Sekretarja e Brendshme do të ketë "detyrimin të largojë" ata persona që hyjnë në MB, nëpërmjet rrugëve të paligjshme dhe ky obligim do të ketë prioritet ndaj të drejtës së tyre për të kërkuar azil.