NË FOKUS, 15 Shkurt 2023, 13:15

Shqipëria nën monitorim nga BE për “mosbashkëpunim fiskal”

Shqipëria nën monitorim nga BE për “mosbashkëpunim

Ministrat e Financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën të martën të riklasifikojnë Shqipërinë si pjesë e një liste me 18 vende të cilat duhet të “përmirësojnë qeverisjen e mirë fiskale”, si pjesë e luftës kundër parajsave fiskale, një goditje tjetër për qeverinë e kryeministrit Edi Rama, i cili këmbëngul prej kohësh në planet e tij për të bërë amnisti fiskale në Shqipëri.

Vendimi [link njoftimi] thotë se lista me 18 vende, ku përfshihet Shqipëria “bazohet në angazhimet që ata kanë marrë për të përmirësuar qeverisjen e mirë fiskale,” ndërsa shton se “BE do të monitorojë nga afër këto angazhime që të sigurohet që ato do të zbatohen.”

Shqipëria u hoq nga lista e vendeve nën monitorim në vitin 2019 për t’i rikthyer në vitin 2023. Shkaqet konkrete të rikthimit të monitorimit nuk jepen, por lista përfshin vendet që sipas BE-së, dështojnë në transparencën fiskale, taksimin e ndershëm dhe që nuk respektojnë standardet minimale të bashkëpunimit me BE-në. Rikthimi në listë nuk ka lidhje me planet për amnisti fiskale por ka të bëjë me ligjet fiskale aktualisht në fuqi në Shqipëri.

Drejt një parajse fiskale?

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian filluan të luftojnë fenomenin e parajsave fiskale në vitin 2016 me një zyrë të Komisionit Evropian të ngarkuar për të identifikuar shtetet, të cilat efektivisht kërkojnë të përfitojnë të ardhura duke lejuar kompanitë e vendeve të tjera të shmangin detyrimet fiskale në vendet ku operojnë. Gjashtëmbëdhjetë shtete, të tilla si American Samoa, Anguila, Bahamas, Rusia apo Ishujt Virgjin Britanikë, janë në listën e zezë të BE-së për shkak se kanë refuzuar të ndërveprojnë me Bashkimin Evropian në përpjekjet e Brukselit për të krijuar një sistem të drejtë taksimi ndërkombëtar. Tetëmbëdhjetë shtete të tjera, ku përfshihet Shqipëria, Turqia, Izraeli dhe të tjera, janë në listën gri, vende të cilat panë pranuar të bashkëveprojnë me Brukselin por në legjislacionet e tyre ka vrima të cilat korporatat ndërkombëtare mund t’i shfrytëzojnë për të shmangur detyrimet fiskale normale. Pjesa tjetër e vendeve të botës është në listën e bardhë.

Shqipëria ka aktualisht disa ligje të tilla që mundësojnë që kompanitë e huaja të paguajnë normë të reduktuar tatimi mbi fitimin, të tilla si përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për hotelet me pesë yje apo tarifë e reduktuar për “bizneset e informatikës”, gjë që supozohet se do të nxisë ekonominë por që në fakt, është në përfitim të një numri minimal biznesmenësh.

Shqipëria ka qenë përgjatë viteve viktimë e fenomenit të transferimit të fitimeve, ku kompani të ndryshme shumëkombëshe kanë arritur me sukses të trasferojnë fitimet e realizuara në Shqipëri në kompanitë motra apo nëna në parajsa të ndryshme fiskale me qëllim që të mos paguanin tatim fitimi në Shqipëri. Një ligj i vitit 2016 supozohej se do të ndihmonte të luftonte këtë fenomen, por të dhënat e administratës fiskale nuk tregojnë nëse ligji është zbatuar ndonjëherë.

Ndërkohë, planet e qeverisë aktuale për një amnisti fiskale, për të cilën qeveria e kryeministrit Edi Rama këmbëngul se janë ende në fuqi pavarësisht kundërshtive të prera të Komisionit Evropian, rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë jo vetëm në një parajsë fiskale, por edhe në parajsë të krimit të organizuar ndërkombëtar. Qeveria ka tentuar të miratojë një ligj të tillë dy herë dhe të dyja herët është tërhequr në çastin e fundit nga presionet ndërkombëtare. Ajo thotë se do ta tentojë sërish më vonë këtë vit./BIRN