AKTUALITET, 21 Gusht 2019, 09:48

Ndëshkimi i Kokëdhimës/Me fadroma dhe matrapik kundër cënimit të imazhit


Shteti propagandistik që vepron vetëm me aksione dhe pa ligj e ka rrëfyer edhe njëherë portretin e tij. Ai që guxoi të prishë imazhin e Shqipërisë rilindase në botë duhet ndëshkuar me fis e me farë.

Nuk mjaftonte që Mihal Kokëdhima të dënohej për aktin e tij ndaj turistëve spanjollë, por ai pi linçohet publikisht nga qeveria dhe mediat në shërbim të saj.

U desh kjo ngjarje që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) të zbulojë se lokali ku ndodhi krimi ” i prishjes së imazhit” paskësh qenë pa leje. Ai ka nisur mëngjesin e sotëm aksionin për shembjen e restorantit ‘Panorma’, pronë e Mihal Kokëdhimës, protagonistit të arrestuar pasi dhunoi turistet spanjolle.

Lajmin e ka bere vetë me dije IKMT, duke i njoftuar mediat për nisjen e punës që sot në mëngjes.

“Mësohet se restoranti i Mihal Kokëdhimës ka qenë një ndërtim pa leje” thuhej në njoftimin që u shoqërua me vërshimin e menjëhershëm me forca policie dhe fadroma, qe kane filluar pa humbur kohë punën për shembjen e objektit.

Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, kur të afërmit dhe familjarët i kundërshtojnë këto akte, trysnia shoqërore dhe politike ka qenë aq e madhe sa askush nuk i ka dalë para fadromave.

Por nuk kanë munguar as reagimet në rrjetet sociale që shohin në këto akte një hap voluntarist të një shteti arbitrar.

“Po të mos gjendej pronari në kofanon e asaj makine, nuk do merrej vesh që lokali ishte pa leje?!

Ky është veprim i pastër populist i udhëheqësit, që bën si parimor kur godet shokët e vet. Kokëdhima që goditet nga KokëRama… Kështu bëri edhe Enveri, goditi shokët në fillim, pastaj armiqtë e brendshëm…Veprim i pastër i shtetit komunist! Pa gjyq e pa proçes” ka shkruar ish ministri i drejtësisë Ylli Manjani.

Ndërkohë që gazetarit dhe analistit Andi Bejtja i ka tërhequr vëmendjen fakti se mediat me urdhër qeveritar kanë prishur të gjithë programacionin e tyre për të transmetuar live ndëshkimin publik të atij që prishi imazhin e Shqipërisë turistike dhe mikpritjes shqiptare.

“Terror televiziv” e ka quajtur ai atë që po ndodh: “U mbushen dy ore qe televizionet me te medha informative ne vend japin live pa nderprerje prishjen e lokalit ” Panorma” te te famshmit tashme Mihalit….

Ne emer te kujt standarteve mediatike mund ta mbash kameren dy ore te shembja e nje lokali, te prishesh gjithe programmer e tjera, per te zene ekranin me ore te tera me nje matrapik qe shemb nje mur..,Fshat mediatik.,.,Fshat i madh mediatik….Këto tv sot jane vete Mihali qe kane mbi dy ore qe i jane hedhur publikut Shqiptar mbi kurriz ka shkruar ai.

Sado i rëndë dhe i papranueshëm të jetë në gjenezë rasti i biznesmenit që kanosi familjen e turistëve spanjollë, ky linçim publik që po i bëhet atij, nuk ka dyshim që përbën një tejkalim të frikshëm të masës, në një vend ku askush nuk përfill ligjin.