AKTUALITET, 21 Gusht 2019, 08:30

FOTO/ Dhunoi turistët, shembet restoranti i Mihal Kokëdhimës, IKMT: Ishte pa leje


Në orët e para të mëngjesit të sotëm, forca të shumta Policie dhe të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), kanë zbarkuar në Porto Palermo për të kryer shembjen e restorantit “Panorma”, në pronësi të Mihal Kokëdhimës, 51-vjeçarit që dhunoi një grup turistësh spanjollë, pas një incidenti në ambientet e biznesit të tij.

Mësohet se për ushtrimin e aktivitetit sipërmarrës te “Panorma”, Kokëdhima nuk ishte pajisur me lejen përkatëse, pasi ishte në proces legalizimi.

Përbën çudi fakti që kjo papajtueshmëri me ligjin nuk është vërejtur më parë, duke konsideruar edhe pozicionimin e lakmueshëm të restorantit, ndërkohë që në aksionin e ndërmarrë me fanfarë nga qeveria kundër informalitetit, janë bllokuar biznese qoftë edhe për mosdhënien e një kuponi të vetëm tatimor.

Video ku 51-vjeçari hipën sipër furgonit të turistëve spanjollë dhe i dhunon ata, është përhapur në mënyrë virale, ka trondit mbarë opinionin publik dhe është bërë subjekt trajtimi edhe në mediat e huaja dhe ndërkombëtare.

Kokëdhima u arrestua javën e shkuar dhe qëndron në qeli nën masën e sigurisë “burg pa afat”. 51-vjeçari, banues në Sarandë, ka kanosur fillimisht me fjalë turistët, që të pakënaqur nga shërbimi në lokal, kanë tentuar të largohen.

Më tej, Kokëdhima ka dëmtuar mjetin e transportit privat të turistëve dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, veçanërisht shtetases spanjolle me iniciale K.R.

Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”.

NJOFTIMI I IKMT

IKMT prish “Panormën”. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo, i ekspozuar publikisht pas një skandali të pronarit me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë.

Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit.

Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve. Çdo veprim i saj ka qenë i koordinuar ngushtësisht me policinë e shtetit.

Menjëherë pas përfundimit të këtij operacioni, IKMT do të vijojë punën në gjithë vijën bregdetare te vendit.