AKTUALITET, 25 Nëntor 2018, 17:04

Napoli, hap fals ndaj Kievos, tani -8 pikë nga Juventusi

Napoli, hap fals ndaj Kievos, tani -8 pikë nga Juventusi

Napoli “ngeci” në shtëpi përballë Kievos, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola, duke kompromentuar ndjeshëm luftën për titull, pasi tashmë sheh Juventusin t’i largohet plot tetë pikë para në krye të renditjes.

Skuadra e Ancelottit dominoi takimin dhe krijoi një sërë rastesh, por fati dhe portieri i veronezëve, Sorrentino, bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar dhe Kievo të dilte me një pikë mjaft të rëndësishme, në ditën e debutimit të trajnerit Di Carlo.

Frederik Veseli fitoi derbin shqiptar me shokët e tij në kombëtare, Berat Gjimshitin dhe Etrit Berishën, pasi Empoli triumfoi me rezultatin 3-2 me përmbysje ndaj Atalantës.

Freuler dhe Hateboer shënuan për zikaltrit në pjesën e parë, ndërsa Empoli rihapi sfidën në minutën e 42-të, me golin e la Guminas. Në pjesën e dytë, vendasit arritën të dërgojnë edhe dy herë të tjera topin në rrjetën e Berishës, fillimisht me autogolin e Masiellos dhe më pas me golin e mbrojtësit Silvestre, duke vulosur rezultatin final 3-2.

Në sfidën e luajtur në “Dall’ Ara” të Bolonjës, emilianët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola ndaj Fiorentinës, duke ndarë nga një pikë, por duhet thënë se ky rezultat nuk i shërben asnjërës prej skuadrave.