TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të marrë një vendim për garën që do të çojë në ngritjen e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Gjykatës Kushtetuese.
ILD është një nga organet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, i cili, duke iu referuar parashikimeve ligjore, duhet të ishte ngritur që në vitin 2017 dhe ka si funksion kontrollin e sistemit, përfshi edhe punën e KLGJ-së dhe KLP-së. Por, vonesa për ngritjen e ILD-së mund të zgjasë edhe më shumë, kjo për shkak të numrit të kufizuar të kandidatëve.
Minimumi duhet të jenë pesë të tillë, ndërsa procedura e verifikimit e çoi numrin e personave të konsideruar të përshtatshëm në katër kandidatë.
Gjatë mbledhjes së sotme, KED do të shqyrtojë edhe kandidaturën e ish-kryeinspektores së KLD, Marsida Xhaferrllarit, e cila, edhe po u konfirmua, sërish nuk e zgjidh ngërçin e mungesës së kandidatëve.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 6.8.2019, ora 9:30, do të zhvillojë mbledhjen e radhës me këtë rend dite: Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidates Marsida Xhaferrllari. Diskutim dhe vendimmarrje lidhur me gjendjen që rezulton nga procedura e verifikimit të kandidaturave dhe numri i kandidatëve të lejuar”, njoftoi dje KED.
ÇFARË ËSHTË ILD
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë qëndron në krye të organeve të sistemit të drejtësisë, për sa kohë do të jetë kontrollor i punës së tyre.
Detyrat dhe kompetencat e ILD-së përfshijnë: verifikimin e ankesave të personave fizikë ose juridikë ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, anëtareve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gjithashtu, Inspektorati nis hetimin administrativ me nismë rreth shkeljeve të pretenduara disiplinore të gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Bën inspektime të gjykatave dhe të zyrave të Prokurorisë për të kontrolluar mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të tyre.
Kandidatët për Inspektoratin e Lartë
1-Artur Malaj (konfirmuar nga KED)
2-Artur Metani (konfirmuar nga KED)
3-Eris Hysi (konfirmuar nga KED)
4-Marsida Xhaferllari (ende pa vendim)
Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese
1-Arta Vorpsi (konfirmuar nga KED)
2-Besnik Muçi (konfirmuar nga KED)
3-Elsa Toska (konfirmuar nga KED)
4-Fiona Papajorgji (konfirmuar nga KED)
5-Marsida Xhaferrllari (ende pa vendim)
6-Regleta Panajoti (konfirmuar nga KED)