AKTUALITET, 4 Mars 2019, 14:39

Modriç tregohet realist: Na mungon Ronaldo

Modriç tregohet realist: Na mungon Ronaldo

Luka Modriç e pranon se skuadrës së Realit i mungon Kristiano Ronaldo. Ndryshe nga Benzema apo Kasemiro të cilët nuk kanë pranuar të komentonin gjendjen e ekipit pas largimit të yllit portugez, fituesi i “Topit të Artë” është shprehur se është normale që ndihet mungesa e tij.

“Kristiano do t’i mungonte kujtdo skuadre, të kërkosh një zëvendësues për të është thuajse e pamundur”, u shpreh Modriç. Reali i Madridit nuk është në formën e vet më të mirë këtë sezon ndërsa ka shënuar më pak gola në krahasim me vitet e kaluara kur Ronaldo ishte pjesë e Los Blankos.

Galaktikët duken shumë larg titullit kampion teksa në ndeshjen e fundit në kampionat u mposhtën në “El Clasico” nga Barcelona në stadiumin e tyre, ndërsa pak ditë më parë u eliminuan edhe nga Kupa e Mbretit po nga rivalët e përbetuar katalanas.

Megjithatë, edhe pse sezoni në Spanjë po shkon drejt dështimit, Reali mesa duket tashmë do të fokusohet te Liga e Kampionëve, ndërsa janë favoritët për të kaluar në çerekfinale pasi mposhtën me rezultatin 2-1 Ajaksin në ndeshjen e parë.