SPORT, 23 Dhjetor 2020, 23:13

Milani fiton në kohën shtesë ndaj Lazios dhe e mbyll vitin në krye

Milani fiton në kohën shtesë ndaj Lazios dhe e mbyll vitin

Milani arrin një fitore të madhe ndaj Lazios në sfidën e fundit të 2020 dhe mbetet në krye të Serisë A si dhe skuadra e vetme pa humbje në këtë sezon në pesë ligat më të forta në Europë. Kuqezinjtë fituan 3-2 “in extremis” ndaj Lazios, që gjithsesi duhet duartrokitur për lojën e zhvilluar dhe nuk do të kishte vjedhur asnjë edhe nëse do të kishte fituar.

Një fillim i furishëm dhe një fund për infarkt i ndeshjes nga kuqezinjtë, me Theo Hernandezin që realizoi në çastet e fundit golin që çoi në ekstazë kampin e Milanit.

Pa u nxehur mirë muskujt, Ante Rebic realizoi me kokë (10’) pas krosimit të Calhanoglu, ndërsa shtatë minutave më vonë mesfushori turk realizoi me penallti. 2-0 për Milani pas pak më shumë se çerek loje orë, por Lazio nuk e humbi toruan. Fillimisht Ciro Immobile humbi një 11-metërsh (28’), por në zhvillimin e aksionit shënoi Luiz Alberto. Në pjesën e dytë bardhekaltrit mundën të barazonin me Immobilen në të 59-ën, por në kohën shtesë, atëherë kur pritej vetëm vërshëllima e fundit e gjyqtarit, këmbëngulja e kuqezinjve u shpërblye me golin e Theo Hernandezit, që i siguroi një fitore të çmendur “Djallit”.

Roma fitoi 3-2 me Cagliarin me gola të Veretout, Dzekos dhe Mancinit, teksa për ishullorët realizoi dygolësh Joao Pedro (të dytin në kohën shtesë me penallti).

Atalanta shpërdoroi epërsinë e dyfishtë të pjesës së parë ndaj Bolognas (shënoi dy herë Muriel), për të barazuar 2-2 në “Dall’Ara” (për vendësit shënuar Tomiyasu dhe Paz).

Napoli nuk shkoi më shumë se barazim 1-1 ndaj Torinos në stadiumin “Maradona”, ku shënoi i pari Izzo, ndërsa në shtesë barazoi Insinge. Në takimet e javës së 14-të u arritën këto rezultate:

Verona – Inter 1-2

Milan – Lazio 3-2

Roma – Cagliari 3-2

Bologna – Atalanta 2-2

Napoli – Torino 1-1

Sampdoria – Sassuolo 2-3

Spezia – Genoa 1-2

Udinese – Benevento 0-2