AKTUALITET, 4 Nëntor 2019, 15:28

Meta pret Ambasadorin e ri të Kosovës, presidenti garanton mbështetjen për liberalizimin e vizave

Meta pret Ambasadorin e ri të Kosovës, presidenti garanton

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, do të nisë sot punën si përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në vendin tonë.

Diplomati Hasani u prit në Presidencë nga kreu i shtetit Ilir Meta, ku i paraqiti letrat kredenciale.

Gjatë takimit dypalësh, presidenti Meta garantoi mbështetjen për liberalizimin e vizave të Kosovës.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sh.T.Z. Nait Hasani, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Pasi e uroi për marrjen e detyrës, Presidenti Meta e siguroi Ambasadorin Hasani për mbështetjen e plotë në kryerjen me sukses të misionit të tij në Tiranë.

Kreu i Shtetit vlerësoi procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, si tregues i maturisë politike, demokratike e institucionale të Kosovës.

Presidenti u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe vlerësoi se bashkëpunimi midis dy vendeve është stabilizues për rajonin dhe motivues për perspektivën euroatlantike.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është i domosdoshëm dhe duhet të realizohet sa më parë”, theksoi Presidenti Meta.