AKTUALITET, 20 Korrik 2018, 23:57

Meta ka një dhuratë për Presidenten kroate: Në mirënjohje të sakrificës së shqiptarëve në Kroaci

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dhuruar një libër homologes së tij kroate Kolinda Grabar Kitaroviç, e cila vijon vizitën e saj në Shqipëri.

Meta i ka dhuruar librin “Qytetet dhe Kështjellat e Shqipërisë” të shkrimtarit Milan Šuflaj si shenjë mirënjohje të sakrificës së shqiptarëve që dhanë jetën për pavarësinë e Kroacisë.

“Në përfundim të vizitës shtetërore në Shqipëri të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, në mirënjohje të sakrificës së shqiptarëve që dhanë jetën për pavarësinë e Kroacisë pata kënaqësinë t’i dhuroj librin “Qytetet dhe Kështjellat e Shqipërisë” të Milan Šuflajit, i cili sakrifikoi jetën e tij për të hedhur dritë mbi të vërtetën e historisë së lashtë të shqiptarëve! God bless Albanian-Croatian friendship! ?? ???”, shkruan Presidenti Meta në “Facebook”.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, në ditën e tretë të qëndrimit në vendin tonë me ftesë të Presidentit Meta, nuk mund të largohej nga Shqipëria pa vizituar edhe qytetin e lashtë të Krujës, kalanë e famshme dhe pazarin e vjetër të qytetit.

Gjatë kësaj vizite shtetërore të kreut të shtetit kroat, që përkon edhe me Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Presidentja Grabar-Kitaroviç, duke vizituar muzeun e Krujës, vuri në dukje lidhjet e hershme historike e të miqësisë me dy vendeve dhe popujve, duke nënvizuar sidomos faktin mjaft domethënës se Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe i biri, Gjoni, u shpallën “Qytetarë Nderi” të Republikës së atëhershme të Raguzës (Dubrovniku i sotëm).

Presidentja Grabar-Kitaroviç u njoh më nga afër me historinë e kryeqendrës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, si dhe me zakonet, traditat dhe punimet artistike të banorëve të zonës.