AKTUALITET, 29 Shtator 2021, 13:15

Meta homazhe për nënkomisarin e rënë në detyrë: Moment i dhimbshëm dhe reflektimi, luftë frontale krimit të organizuar!

Meta homazhe për nënkomisarin e rënë në detyrë:

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pasi zhvilloi homazhet në nder të policit të vrarë, Saimir Hoxha tha se ky është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar.

“Është një moment i dhimbshëm që ti japim lamtumiren e fundit një oficeri hero të policisë së shtetit, por edhe një prindi dhe familjari si nënkomisiari Saimir Hoxha, i cili nuk e meritonte të ndahej nga jeta.

Ai sakrifikoi jetën e tij trimërisht. Është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por edhe për dekurajimin e krimit ordiner. Ashtu sikundër është një prioritet lufta kundër trafikut të drogës”, tha Presidenti Meta.

Sot Kreu i Shtetit i akordoi pas vdekjes, “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”