AKTUALITET, 11 August 2026, 22:54

Mbyllet dita e 73-të e protestës, qytetarët kthehen para Kryeministrisë: Ju erdhi fundi, Rama jep dorëheqjen!

Të vendosur për largimin e kryeministrit Edi Rama, protestuesit u mblodhën sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, në ditën e 73-të të protestës së tyre kundër qeverisë.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga vijuan marshimin drejt Kryeministrisë. Përpara godinës së qeverisë u mbajtën disa fjalime, ku qytetarët artikuluan shqetësimet e tyre dhe akuzat për keqqeverisje.

Protestuesit paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në shtator dhe se synojnë një pjesëmarrje më të madhe qytetare. Ata deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se presioni ndaj qeverisë do të vijojë.

Pas përfundimit të fjalimeve, qytetarët vijuan marshimin nëpër rrugët e Tiranës, duke brohoritur në kor: “Ju erdhi fundi!”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ndryshim sistemi”.