TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj mbrëmjen e kësaj të marte kritikëve që vunë në dyshim renditjen e Shqipërisë në vendin e parë të National Cyber Security Index, duke i cilësuar ata “urrejtës” dhe “trolla”.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se klasifikimi nuk është produkt i propagandës, por bazohet në një metodologji ndërkombëtare që vlerëson kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.
Kryeministri u shpreh se renditja nuk ndryshon nga komentet në rrjetet sociale dhe e cilësoi vendin e parë të Shqipërisë si rezultat të punës së bërë ndër vite nga qeveria që ai drejton.
Postimi i plotë i Ramës
“Një shënim i nevojshëm për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave.
Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.
Po nëse lajmi ishte ‘gënjeshtër’, ‘propagandë’, ‘budallallëk’, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.
Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit.Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale.
Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.
Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike.
Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan.Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë:
Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund.
Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova.