AKTUALITET, 29 Prill 2019, 22:23

“Mbreti” i grabitësve/ Njihuni me “Drakulën” shqiptar që kreu 1 mln euro vjedhje dhe përfundoi tek supa për të varfrit

“Mbreti” i grabitësve/ Njihuni me “Drakulën”


Ai njihej si “Drakula”, mbreti i hajdutëve të Piacencës. I dënuar me dhjetë vjet burg për vjedhje të shumta, ai tani do të vuajë dënimin e tij në një famulli duke shërbyer supë në kuzhinë.

Pas përfundimit të dhjetëra grabitjeve nëpër shtëpi dhe biznese së bashku me bandën e tij, 29-vjeçari shqiptar u arrestua nga policia e Piacenza.

Banda kishte arritur të grabiste rreth 1 milion euro. Kur ata ishin duke “kryer biznesin” e tyre, vjedhësit vepronin në mënyrë të pazakontë dhe për një kohë të gjatë arritën t’i shpëtonin drejtësisë.

Gjatë vjedhjeve, ata përdorën vetëm automjete që mbanin targa fiktive dhe shmangnin pajisjet elektronike, duke përdorur vetëm radio dore për të komunikuar.

Dënuar nga gjykata e Piacenzas, me dy gjykime të ndryshme me gjithsej 10 vite burg, “Drakula” tani mori një dënim alternativ. Gjykata e Apelit e Bolonjës ka pranuar kërkesën e avokatit, Mauro Pontini, për të zëvendësuar burgun me një masë që parashikon angazhimin dhe vendbanimin e tij në një famulli të Romagnës. Prifti pranoi kërkesën. Prej këtij momenti, “Drakula” do të ndihmojë priftin t’i shërbejë ushqim të varfërve.

Banda e drejtuar nga shqiptari i ka kryer vjedhjet kryesisht midis vitit 2015 dhe 2017 në Rivergaro, Piacenza dhe Podenzano.