BALLKAN, 18 July 2026, 09:56

Konjufca i shkruan Kallas pas deklaratës së ministres serbe: BE-ja duhet të reagojë qartë ndaj retorikës që mbështet spastrimin etnik

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, lidhur me deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç, të cilat i cilësoi si nxitëse dhe të papranueshme.

Përmes një postimi në platformën X, Konjufca theksoi se deklarata e Paunoviçit, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë gjatë vitit 1998, nuk mund të trajtohet si një gafë e thjeshtë.

Sipas tij, një reagim i qartë dhe i fuqishëm nga Bashkimi Evropian është i domosdoshëm për të rikonfirmuar angazhimin e unionit në parandalimin e krimeve mizore dhe mbrojtjen e vlerave demokratike në rajon.

“I kam shkruar Përfaqësueses së Lartë @kajakallas lidhur me deklaratat e fundit të një ministri të qeverisë serbe që mbështet spastrimin etnik. Mbrojtja e vlerave evropiane kërkon një përgjigje të qartë dhe parimore sa herë që shfaqet retorikë që glorifikon krimet e luftës ose spastrimin etnik”, ka shkruar Konjufca.