BALLKAN, 18 July 2026, 15:45

Alarm në Athinë! Gjendet një valixhe me mbetje njerëzore

Alarm në Athinë! Gjendet një valixhe me mbetje njerëzore

Autoritetet greke janë vënë në alarm pas zbulimit të një valixheje të dyshimtë në rrugën Evelpidon, në zonën e Kypselit, në qendër të Athinës. Sipas informacioneve paraprake, brenda saj janë gjetur pjesë të trupit të një personi.

Mediat greke raportojnë se nga valixhja vinte një erë e rëndë, ndërsa dyshohet se një këmbë, që besohet t’i përkasë një burri, ishte e dukshme jashtë saj. Valixhja u zbulua rreth orës 14:00 (me orën greke) të së shtunës nga një person i pastrehë, i cili njoftoi menjëherë policinë. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta të Policisë Helenike, ndërsa është thirrur edhe një ekspert mjeko-ligjor për të kryer ekzaminimet e para.

Hetuesit kanë marrë dëshminë e personit që bëri zbulimin dhe kanë nisur grumbullimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë së ndërtesave përreth, me qëllim identifikimin e personit që mund ta ketë lënë valixhen në atë zonë. Ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit grek, përballë hyrjes së ambienteve të Universitetit Panhelenik, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar viktimën dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.