TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbi 1 milion vizitorë vendas dhe të huaj kanë vizituar sitet kulturore të Shqipërisë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa Kalaja e Gjirokastrës rezulton më e vizituara, duke lënë pas edhe Parkun Kombëtar të Butrintit.
Shifrat janë bërë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi se gjatë periudhës janar-gusht 2026 sitet kulturore regjistruan në total 1,062,067 vizitorë. Sipas të dhënave të publikuara prej tij, numri i vizitorëve është rritur me 5% krahasuar me vitin 2025. Diferenca bëhet më e madhe nëse krahasimi bëhet me vitet e mëparshme: 21,3% më shumë se në vitin 2024 dhe 65% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Parqet arkeologjike kanë tërhequr numrin më të madh, me 448,711 vizitorë gjatë tetë muajve. Në kala dhe monumente kulture janë regjistruar 312,220 vizitorë, ndërsa muzetë kombëtarë janë vizituar nga 301,136 persona. Në renditjen e vendeve më të vizituara kryeson Kalaja e Gjirokastrës, me 223,280 vizitorë.
Pas saj vjen Parku Kombëtar i Butrintit me 204,867 vizitorë, ndërsa Parku Arkeologjik i Shkodrës renditet i treti me 135,293 vizitorë.
Mbi 100 mijë vizitorë ka regjistruar edhe Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, me 104,128 të tillë.
Parku Arkeologjik i Apolonisë numëron 91,764 vizitorë, ndërsa Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat ka regjistruar 70,143 vizitorë gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Sipas shifrave të publikuara nga Rama, renditja e gjashtë siteve më të vizituara është:
Kalaja e Gjirokastrës – 223,280 vizitorë
Parku Kombëtar i Butrintit – 204,867 vizitorë
Parku Arkeologjik i Shkodrës – 135,293 vizitorë
Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë – 104,128 vizitorë
Parku Arkeologjik i Apolonisë – 91,764 vizitorë
Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat – 70,143 vizitorë