AKTUALITET, 9 September 2026, 14:16

Shehaj takime në Bundestag me kreun e CDU për Ballkanin Perëndimor: Beteja e rinisë në Tiranë duhet të dëgjohet në çdo kryeqytet të Europës

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Berlin ku ka pasur takime të rëndësishme me Peter Beyer, deputet i CDU-së dhe drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun gjerman si dhe me Niels von Redecker, drejtori për Ballkanin Perëndimor në ministrinë e Jashtme Gjermane.

Gjatë këtyre takimeve, kryetari i Partisë Mundësia Shehaj ka informuar zyrtarët gjermanë mbi atë që kërkojnë qytetarët shqiptarë të cilët prej 101 ditësh janë ngritur në protestë. Sipas Shehajt, shqiptarët protestojnë dhe kërkojnë prej më shumë se 3 muajsh një Shqipëri të çliruar nga korrupsioni i pushtetarëve që kanë abuzuar me pushtetin, vënien e tyre përpara drejtësisë si dhe ndryshimin e pushtetit të Edi Ramës. “Thirrja e shqiptarëve për ndryshim po dëgjohet në gjithë Europën. Kërkojnë ndryshim, drejtësi dhe një Shqipëri të çliruar nga korrupsioni. Kërkojnë fundin e këtij sistemi politik dhe ndërtimin e të ardhmes së tyre në Shqipëri”, u shpreh Shehaj.

Kryetari Shehaj gjatë bisedës me zotin Peter Beyer dhe Niels von Redecker, ka nënvizuar qëndrimin që mban forca politike që ai drejton, në mbështetje të protestuesve për një Shqipëri ku institucionet funksionojnë, drejtësia është e pandikueshme dhe për një të ardhme europiane të vendit. Shehaj ka kërkuar që beteja e rinisë shqiptare që zhvillohet në Tiranë, të mbeshtetet në çdo kryeqytet të Europës. “Beteja e rinisë shqiptare që zhvillohet në Tiranë, duhet të mbështetet në çdo kryeqytet të Europës”, u shpreh kryetari Shehaj.

Në vizitën zyrtare në Berlin, Shehaj shoqërohej nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri.

Postimi i plotë i Agron Shehajt në rrjetet sociale:

Thirrja e shqiptarëve për ndryshim po dëgjohet në gjithë Europën. Kërkojnë ndryshim, drejtësi dhe një Shqipëri të çliruar nga korrupsioni. Kërkojnë fundin e këtij sistemi politik dhe ndërtimin e të ardhmes së tyre në Shqipëri. Për të ardhmen e Shqipërisë   folëm me Peter Beyer, deputet i CDU-së dhe drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun gjerman   dhe Niels von Redecker, drejtori për Ballkanin Perëndimor në ministrinë e Jashtme Gjermane. Beteja e rinisë shqiptare që zhvillohet në Tiranë, duhet të mbeshtetet në çdo kryeqytet të Europës.