AKTUALITET, 9 September 2026, 12:06

Replikat/ Rama-Demokratëve Europianë: A nuk ju vjen turp? Dhuna ndaj deputetëve nuk është “kundërshtim demokratik”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave të Demokratëve Europianë, të cilët e akuzuan se nuk pranon kundërshtimin politik. Përmes një reagimi në 'X,' Rama është përgjigjur duke iu referuar incidenteve të një dite më parë pranë Kuvendit, ku deputetët u përballën me fyerje, dhunë fizike dhe hedhje vezësh e gurësh teksa përpiqeshin të hynin në Parlament.

Deklarata e plotë e Ramës:

“Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit është ‘kundërshtim’?

Ndoshta nga rehatia e tastierës suaj duket kështu. Por jo për kolegët tuaj shqiptarë, nga e djathta në të majtë, të cilët u detyruan të kalonin përmes një korridori me fyerje verbale dhe dhunë fizike, me vezë dhe madje edhe gurë që u hodhën ndaj tyre, vetëm për të mbërritur në vendin e punës.

A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik? Me sa duket, jo.

Meqë ra fjala, shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, abuzohet nga modelet tuaja të ‘kundërshtimit’, ndërsa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës.

Dhe kjo nuk ishte as më e keqja nga ato që kolegëve tuaj shqiptarë iu desh të përballonin dje.

Keni ndonjë gjë për të thënë për këtë formë të veçantë të ‘kundërshtimit’ nga podiumi juaj i lartë demokratik? Apo shqetësimi juaj për demokracinë përfundon aty ku fillojnë faktet e pakëndshme?

Dhe ju lutem, lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e tërhiqni Shqipërinë në këtë. Shqipëria është një vend vërtet i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë. Ajo nuk e meriton të bëhet çamçakëz në gojët mediokre të njerëzve që shkëmbejnë faktet me angazhim të lirë politik."

Replika e kryeministrit shqiptar erdhi, pasi Demokratët Evropianë  (PDE/EDP) kanë reaguar në lidhje me përplasjet që u shënuan një ditë më parë mes policisë dhe protestuesve përpara Parlamentit, ndërsa deputetët u rikthyen në seancë pas një muaji pushim.

Në një reagim në rrjete sociale, ata theksojnë se imazhet që vijnë nga Shqipëria janë shqetësuese dhe se reagimi i policisë ndaj protestuesve ishte i ashpër. Sipas Demokratëve Evropianë, njerëz pa uniforma ndërhynë, duke ngritur pikëpyetje nëse ishin oficerë policie apo persona të tjerë.

“Dje, ndërsa protestat në Tiranë hynë në ditën e tyre të 101-të radhazi, imazhet që na arritën u bënë thellësisht shqetësuese. Ndalimet u rritën, reagimi i policisë dukej në mënyrë disproporcionale i ashpër dhe njerëz pa uniforma të dukshme u panë duke ndërhyrë, duke ngritur pyetje serioze nëse ata ishin oficerë policie apo individë që vepronin jashtë çdo zinxhiri të qartë llogaridhënieje.

Kjo vjen pas bllokimit dhe kufizimit të llogarive të mediave sociale të lidhura me protestat javën e kaluar, një shqetësim i mëtejshëm për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.”, theksojnë ata.

Më pas, ata drejtojnë gishtin nga kryeministri Edi Rama, për të cilin thonë se teksa është në krye, vendi po përballet me një provë serioze të standardeve të saj demokratike në një kohë kur synon edhe anëtarësimin në BE.

“Nën udhëheqjen e Edi Ramës, Shqipëria po përballet me një provë serioze të standardeve të saj demokratike. Një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet të forcojë sundimin e ligjit, të mbrojë liritë themelore dhe të garantojë të drejtën për të mos u pajtuar, për të protestuar dhe për të folur lirisht.”, theksojnë Demokratët Evropianë.”, shtojne ata.