TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një veprim i zakonshëm gjatë matjes së tensionit mund të bëjë që rezultati të dalë më i lartë se sa është në të vërtetë. Mjekët paralajmërojnë se pozicioni i krahut mund të ndikojë ndjeshëm në matje dhe, në disa raste, të çojë edhe në një diagnozë të gabuar të hipertensionit.
Sipas Dr. Dean Eggitt, mjek i NHS-së, krahu duhet të jetë i mbështetur mbi një tavolinë, në nivelin e zemrës, gjatë matjes së tensionit. Nëse kjo nuk respektohet, rezultati mund të shtrembërohet.
Një studim i kryer nga ekspertë të Johns Hopkins Medicine tregoi se kur krahu lihet i varur anash trupit, presioni sistolik mund të dalë mesatarisht 6.5 mmHg më i lartë, ndërsa presioni diastolik rreth 4.4 mmHg më i lartë. Edhe mbajtja e krahut mbi prehër mund të japë një rezultat më të lartë nga realiteti.
Ekspertët shpjegojnë se kur krahu lihet pa mbështetje, muskujt mund të kontraktohen dhe të rrisin përkohësisht presionin e gjakut. Ndërsa pozicioni i krahut mbi prehër krijon një diferencë më të madhe mes krahut dhe zemrës, gjë që mund të ndikojë në matje.
Për një rezultat sa më të saktë, këshillohet që para matjes të qëndroni të qetë për të paktën pesë minuta, me shpinën të mbështetur dhe të dyja këmbët në dysheme. Krahu duhet të jetë i mbështetur mbi tavolinë, në nivelin e zemrës.
Tensioni i lartë i gjakut është një problem serioz, pasi rrit rrezikun për goditje në tru, infarkt, sëmundje të veshkave dhe demencë. Megjithatë, shpesh nuk shkakton simptoma dhe mund të mbetet i pazbuluar për një kohë të gjatë.
Studimi, i publikuar në JAMA Internal Medicine, përfshiu 133 persona të moshës 18 deri në 80 vjeç. Studiuesit arritën në përfundimin se ndryshimi në pozicionin e krahut mund të jetë aq i madh sa, në disa raste, të ndikojë edhe në vendimin nëse një person plotëson kriteret për diagnozën e hipertensionit.