TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
5 vite burgim, miliona lekë gjobë dhe konfiskim të pronave me vlerë mbi 2 milionë euro, ishin kërkesat e prokurorisë ndaj biznesmenit të kromit Sokol Nasufi, i akuzuar për disa vepra penale në fushën e tatimeve dhe skemave mashtruese me TVSH.
Në fund të gjykimit, prokuroria ka vlerësuar se biznesmeni Nasufi, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, ka mundur të rimbursojë vlerën e TVSH-së për mallra që nuk janë blerë asnjëherë nga kompania e tij, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar të përllogaritur në mbi 50 milionë lekë të reja.
Për këtë arsye, gjatë fazës së hetimit, me kërkesë të prokurorisë dhe vendim të Gjykatës së Tiranës, janë sekuestruar prona në emër të biznesmenit dhe familjarëve të tij, prona të cilat kapin një vlerë në mbi 2 milionë euro.
Përveç Sokol Nasufit, prokuroria ka kërkuar gjobitjen e dy firmave “Euro Trade Mineral Group” dhe “Euro Speed Trans Chrom” me nga 2.5 milionë lekë të reja secila. Gjithashtu, Nasufi, sipas prokurorisë, duhet të shpallet fajtor edhe për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale.
Sakaq, në dënimin përfundimtar, përveç burgimit dhe konfiskimit për llogari të shtetit të pronave të Nasufit, prokuroria kërkon që i pandehuri Sokol Nasufi të kthejë vlerën e TVSH-së që ka marrë nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe krijimit të skemave mashtruese.
Në lidhje me këtë hetim, Sokol Nasufi fillimisht u arrestua nga prokuroria, por për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës është liruar sërish. Për këtë arsye, prokuroria ka kërkuar që vitet e burgimit t’i kthehen në liri me kusht në shërbimin e provës./TCH/