BOTA, 8 Dhjetor 2017, 12:01

Marrëveshje BE-Londër për kushtet e “divorcit”

Marrëveshje BE-Londër për kushtet e “divorcit”

Komisioni Evropian theksoi sot se progrese të mjaftueshme ishin arritur për kushtet e ”divorcit” me Britaninë e Madhe duke i hapur rrugën fazës së dytë të negociatave për marrëdhëniet në të ardhmen.

“Nëse 27 vendet anëtare pranojnë vlerësimin tonë, Komisioni Evropian dhe kryenegociatori ynë Michel Barnier, janë të gatshëm të fillojnë menjëherë fazën e dytë të negociatave”, theksoi Jean-Claude Juncker.

Presidenti i Këshillit të BE-së, instancë që përfaqëson drejtuesit e 28 vendeve, Donald Tusk paralajmëroi sot se sfida më e vështirë e negociatave mes Britanisë së Madhe dhe BE-së për Brexit ishte në të ardhmen.

Pas marrëveshjes historike të arritur sot në mëngjes në Bruksel mes Komisionit Evropian dhe Britanisë së Madhe mbi kushtet e divorcit, Tusk theksoi se ndarja është e rëndë, por të ndahesh dhe të ndërtosh një marrëdhënie të re është akoma më e rëndë.

“Ne e dimë se të ndahesh është e rëndë, por të ndahesh dhe të ndërtosh një marrëdhënie të re është akoma më e rëndë”, deklaroi Tusk.

Ndërkohë kryeministrja britanike, Theresa May theksoi se marrëveshja paraprake e arritur sot mes Komisionit Evropian dhe Britanisë së Madhe garanton mungesën e kufijve fizik mes Irlandës dhe provincës britanikë të Irlandës së Veriut.