AKTUALITET, 28 Janar 2019, 12:35

Marrëveshja BE-Shqipëri për kontrollin e kufirit, Salianji: Paralajmërim për rikthimin e vizave

Marrëveshja BE-Shqipëri për kontrollin e kufirit, Salianji:

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji e ka quajtur marrëveshjen mes BE dhe Shqipërisë për kontrollin e kufirit, të diskutuar sot në Komisionin e Sigurisë, një “paralajmërim për institucionet shqiptare dhe fatkeqësisht një paralajmërim për rikthimin e vizave”.

Reagimi i demokratit Salianji vjen pas mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Sigurisë, lidhur me marrëveshjen e diskutuar. Sipas tij, “BE merr praktikisht në kontroll edhe kontrollin e personave”.

Salianji thekson se “Marrëveshja çertifikon qëndrimet e opozitës dhe mediave për humbjen e kontrollit të qeverisë në territor, për kontrollin e territorit dhe kufijve nga krimi”.

Postimi i Salianjit:

Komisioni i Sigurisë diskutoi marrëveshjen ndërmjet BE dhe Republikës së Shqipërisë për kontrollin e kufirit!

1.Qeveria tashmë edhe zyrtarisht provohet si e paaftë dhe e pabesueshme për partnerët. Qindra tonelata me drogë dhe përdorimi i Shqipërisë si vendi kryesor për tranzitin e kokainës dhe heroinës detyron BE të sjellë agjensi policore të BE për të kontrolluar kufirin.

2. Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në Rajon që detyrohet me shpejtësi për marreveshjen. Lajmi i keq që Shqipëria i ka institucionet e saj të pabesueshme per partnerët dhe kjo marreveshje konfirmon qe kufijte i menaxhon krimi dhe jo policia, lajmi i mirë është që BE po sjell trupa të specializuar për kontrollin e kufirit.

3. Marrëveshja është paralajmërim për institucionet shqiptare dhe fatkeqësisht është paralajmërim për rikthimin e vizave.

BE merr praktikisht në kontroll edhe kontrollin e personave!

Marrëveshja çertifikon qendrimet e opozitës dhe mediave për humbjen e kontrollit të qeverisë në territor, për kontrollin e territorrit dhe kufijve nga krimi.

Marrëveshja është kërkuar nga BE si rast urgjence.