AKTUALITET, 13 Shkurt 2018, 13:08

Marku në Korçë: Hetime më të thelluara kundër korrupsionit dhe drogës

Marku në Korçë: Hetime më të thelluara kundër

Kryeprokurorja Arta Marku mori pjesë në analizën vjetore të prokurorisë Korçë. Gjatë fjalës së saj, Marku  u shpreh se "nxisim aplikimin e Marrëveshjes dhe Urdhërit Penal, me qëllim që prokurorët të jenë më të angazhuar dhe fokusuar tek hetimi i veprave penale me rrezikshmëri të theksuar dhe sensitive për rrethin Korçë". Po kështu ajo tha se prokurorët do të kenë mbështetje për hetime në lëndën e korrupsionit.

Marku gjithashtu jep edhe rrugët se si duhet të veprohet.

"Kjo të bëhet duke kërkuar dhe mbështetur forma të reja bashkëpunimi me policinë gjyqësore, agjencitë e tjera në Korçë, si Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), etj. dhe tërheqja e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit.

Përkrahim hetime më të thelluara në luftën kundër drogës, ku megjithë suksesin e arritur, e bën të domosdoshme që prokuroria të mos mbetet vetëm me goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike, por të identifikojë dhe vendosë përpara përgjegjësisë penale grosistët, grupet që financojnë dhe organizojnë kultivimin e lëndëve narkotike, trafikimin etj.

Mbeshtesim fuqimisht prokurorët për të identifikuar shkelje të ligjit dhe regjistrimin e veprave penale kryesisht sidomos në mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga nëpunësit publikë; nëse ushtrimi i pushtetit është në interes publik apo përdoret nga nëpunësit si një formë për të nxjerrë përfitime të paligjshme të çdo lloji.

Nxisim analiza të përbashkëta me organet tatimore dhe doganore për të identifikuar shkelje të ligjit në këto fusha nëse ka, pasi siç del nga raporti për vitin 2017 ka vetëm një kallëzim nga këto organe", tha Marku./TPZ.AL