AKTUALITET, 12 October 2026, 09:36

VIDEO/ Makina futet brenda lokalit dhe merr përpara klientët në Selanik, plagosen tre persona, shoferi shqiptar në gjendje të dehur

VIDEO/ Makina futet brenda lokalit dhe merr përpara klientët në

Momente paniku kanë përjetuar klientët e një lokali në zonën e Evosmos, në Selanik të Greqisë, pasi një automjet që drejtohej nga një shqiptar është futur brenda ambientit ku ndodheshin qytetarët.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Agamemnonos dhe sipas raportimeve të mediave greke automjeti ka përplasur tavolinat dhe ka marrë përpara disa prej klientëve që ndodheshin në lokal.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur personat janë ulur në tavolina, ndërsa papritur makina futet brenda ambientit, duke shkaktuar panik dhe kaos.

Pas përplasjes, klientët e tronditur janë përpjekur të ndalojnë drejtuesin e automjetit, i cili ka tentuar të largohet duke ecur mbrapsht me makinën.

Nga përplasja mbetën të plagosur tre klientë të lokalit. Njëri prej tyre u transportua në Qendrën Shëndetësore të Diavatës, ndërsa dy të tjerët u dërguan në spitalin AHEPA të Selanikut.

Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, gjendja shëndetësore e të tre të plagosurve nuk paraqet shqetësim.

Drejtuesi i automjetit është një 45-vjeçar me shtetësi shqiptare. Pas kontrolleve të kryera, rezultoi se ai ishte nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes.

Rrethanat e plota të incidentit po trajtohen nga autoritetet greke.