TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Genc Pollo, shprehet se Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e pësoi nga Edi Rama duke shkuar në zgjedhje të parakohshme, edhe pse ndaj vendit të tij Këshilli Europian nuk kishte asnjë rezervë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Pollo e sheh në favor të Shqipërisë kërkesën e Francës, ndërsa shton se edhe nëse do të kishte një vendim pozitiv në 18 tetor, përsëri nuk do kishim hapje të negociatave. Duke folur për Reformën Zgjedhore, ish-deputeti i PD-së kundërshton listat e hapura, ndërsa i qëndron propozimit për qeveri tranzitore në zgjedhje.
Tri javë pas Këshillit Europian, që nuk çeli negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, janë mjaftueshëm për të parë me qartësi tablonë e madhe: A erdhi kjo nga problemet brenda Bashkimit Europian, apo nga ato të qeverisë Rama?
Do t’ju shpjegoj shkoqur më pas pse një vendim pozitiv në 18 tetor për Shqipërinë, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, nuk do të thoshte çelje negociatash. Por fillimisht dua të them se jam pak i surprizuar nga reagimi gati apokaliptik, që pasoi (mos)vendimmarrjen e Këshillit Europian. Edhe reagimet verbale në nivel europian kanë qenë me terma të fortë, çka është e pazakonshme për këto samite, ku zakonisht para kamerave flitet urtë e butë pasi janë arritur, me ose pa sherr, kompromiset prapa kuintave. Ndoshta pikërisht ngaqë nuk u arrit kompromisi, kaq tipik në kulturën politike europiane; ndoshta ngaqë disa zyrtarë në Bruksel në fund të mandatit të tyre i dëshironin negociatat si trofe përmbyllëse (kjo aspak negative). Ose ka edhe arsye të tjera. Mbase kjo klimë ndikon në një vendim pozitiv pas gjashtë muajsh në samitin e Zagrebit.
Vendim për anëtarësim në BE, apo në zonën ekomomike të BE-së?
Pikërisht! Për mua, shqetësuese ishte teza e prezantuar nga zëra të ndryshëm në tri javët e fundit, se Shqipërisë e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor mund t’u akordohet joanëtarësia në BE, siç ndodhi së fundmi me Kroacinë e më herët me Bullgarinë e Rumaninë, por një partneritet special politikoekonomik. Ishte pozitive e në kohë që Presidentët Meta e Pendarovski në Tiranë u shprehën në kohë e pa ekuivokë vetëm për anëtarësinë, si objektiv i vetëm i shteteve tona, duke përjashtuar alternativa të tjera.
Edhe Kryeministri Rama e ka thënë këtë.
Nuk e paskam dëgjuar. Ai ka qenë shumë i zëshëm në shpjegimin se “fajin e ka Macron-i”, duke kontribuar kështu në komplikacione shtesë në samitin e Zagrebit.
Sërish faji i Brukselit, apo faji i Tiranës?
Kthehemi te Këshilli: në rast vendimi pozitiv, Maqedonia do të ishte ulur fill në tryezë për të negociuar kapitujt e traktatit të anëtarësimit në BE. Përkundrazi, Shqipërisë, për shkak të kushteve gjermane (Bundestagu), do t’i duhej të paktën një vit që të fillonte realisht negociatat dhe kjo nëse gjithçka do të shkonte fjollë. Gjithmonë nëse Franca nuk shton kushte, si emigracioni i paligjshëm apo Holanda nuk ashpërson kushtet gjermane në drejtim të shtetit ligjor, krimit e korrupsionit.
Pse mendoni se Holanda mund ta bëjë këtë?
Në orët e mëngjesit të 18 tetorit, Kryeministri holandez, Rutte, doli nga salla e mbledhjes së Këshillit për të njoftuar gazetarët mbi negociatat dhe deklaroi se “Shqipëria ka një problem me ndarjen e pushteteve”. Është hera e parë që një prononcim i tillë artikulohet në nivelin e shefit të qeverisë; deri tani, këtë kritikë e kishin bërë shumë deputetë europianë. Ky ka qenë dhe qëndrimi i opozitës sonë e i shumë analistëve brenda e jashtë vendit: pra, se kemi përfunduar në një shtet të kapur e pa ligjshmëri. Me fjalë të tjera, për Holandën problemet me bandat shqiptare në Roterdam nuk zgjidhen thjesht me shtimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme e Policinë e Shtetit, siç thuhej deri para një viti; përkundrazi, problemi qëndron tek interlokutorët e tyre në Tiranë. Këtë kam parasysh kur flas për mundësinë e kushteve shtesë.
Ju keni shkruar se shtetet që nuk ishin pro negociatave me Shqipërinë, si Franca, Holanda, Spanja e Danimarka, drejtohen nga të majtët dhe kjo e shton, e rëndon pozitën e qeverisë sonë.
Pozitën e qeverisë e rëndojnë në radhë të parë shtetasit pa leje në Francë dhe malli i paligjshëm në Roterdam. Por meqë Rama në punët e tija e sheh fajin përherë jashtë vetes e në punët e Europës shpesh tek opozita, do të duhej të na e shpjegonte këtë refuzim nga familja politike e tij. Të mos harrojmë se kryeministrat nga PPE apo nga Konservatorët (Londra, Varshava) ishin të gjithë pro. Dhe nga ata të katërt që refuzuan, dy janë socialistë e dy liberalë të qendrës së majtë. Në vendimmarrjen e BE-së ndikojnë shumë faktorë, por partitë politike kanë peshë, siç e keni vërejtur. Pra, kur ta dëgjoni Ramën në studio televizive të flasë për baltën anglisht të opozitës, mund ta pyesni nëse i ka shpjeguar sukseset qeveritare në frëngjishte të mirë p.sh., ashtu si duhet brenda familjes politike së tij.
Mbase edhe z. Zaev si socialist duhet të shpjegohet…
Maqedonia nuk i çeli negociatat prej Shqipërisë; Zaevi shkoi në zgjedhje të parakohshme prej Ramës. Ose më saktë, edhe Maqedonia, edhe Zaevi e pësuan prej Ramës, pasi nëntë kushtet po t’i analizosh një nga një janë probleme të shkaktuara nga qeveria e maxhoranca direkt ose indirekt. Edhe rezervat e tjera lidhen po me qeverinë. Për Maqedoninë e Veriut kishte konsensus pozitiv. Jo se çoç kanë bërë në planin e brendshëm, por të paktën normalizuan marrëdhëniet me dy shtete fqinje, anëtare të BE-së. Arsyen pse u dogj edhe Maqedonia e shpjegoi fare mirë Kancelarja gjermane pas samitit. Opsioni “vetëm Maqedonia”, tha znj. Merkel para gazetarëve, ishin dakord pothuajse të tërë, por sipas disa liderëve europianë, kishte shqetësim se si mund të reagonte popullsia shqiptare në Maqedoni. Prandaj u lanë të dyja jashtë. Fakt i përmendur së fundmi edhe nga Presidenti Macron. Personalisht, mendoj se ata i kanë fryrë kosit pasi janë të superndjeshëm ndaj stabilitetit; siç edhe druaj se shqiptarët mes Qafë-Thanës e Shkupit ndihen ligsht në këtë rol përballë bashkëqytetarëve të shumicës. Se mos na del nga goja se fajin e ka Edi! Sakën, aman!
Konkluzionet e Këshillit Europian nuk i përmendin kushtet e Bundestagut, prandaj, sipas disa zërave në Tiranë, këto kushte nuk janë më në fuqi. Ju çfarë thoni?
Me ligj, qeveria gjermane është e detyruar të kushtëzojë një vendim pozitiv europian për negociatat me kushtet e miratuara në Bundestag. Vendimet në Këshill janë unanime, pra jo vetëm Gjermania e madhe, por teorikisht edhe Estonia e vogël mund të imponojë kushte apo edhe të vërë veton. Nëntë kushtet bien vetëm nëse Bundestagu i anulon ato me një rezolutë të dytë. Veç kini parasysh sa vijon: 1/3 e deputetëve gjermanë (socialdemokratë e të gjelbër) mund të jenë për negociata me Shqipërinë pa kushte; 1/3 (CDU/CSU) janë për negociatat pasi të përmbushen 9 kushtet; 1/3 (liberalë, AfD, të majtë) janë kundra. Edhe një Bundestag i ri, ta zëmë se ka zgjedhje, nuk ka për të ndryshuar dot gjë, pasi 1/3 nuk ka shanse të bëhet 51%. Por këta zëra që dalin nga gypat e qeverisë, tregojnë se kjo e fundit as nuk ka harruar e as nuk ka mësuar gjë. Dhe mendon se me nojma e gënjeshtra lustrafine…
Çfarë gënjeshtrash lustrafine?
Mosmiratimi i negociatave ishte i padëshiruar për ne të tërë, por në rastin pozitiv do të jetë një vonesë gjashtëmujore. Por nga ana tjetër, një avantazh është kërkesa e Francës për rishikimin e metodikës së zgjerimit të BE-së. Sot ka një debat intensiv për këtë e në përgjithësi bihet dakord se pavarësisht raporteve të ëmbla të Komisionit Europian, në Mal të Zi ka status quo, në Serbi ka regres, në Maqedoninë e Veriut kemi progres në raport me fqinjët dhe Shqipërinë tashti, ndryshe nga tre vjet më parë, kanë siklet ta përmendin për mirë. Ne në Shqipëri e kuptojmë më mirë këtë, pasi kushtet e Bundestagut do të duhej t’i kish vënë prej kohësh Komisioni Europian. Është praktikisht konfirmimi i një dështimi. Por të shohim përpara! Shpresoj që me një metodë të re dhe sidomos me vullnet politik, Komisioni von der Leyen do të jetë më rigoroz e si pasojë, më ndihmues për sa i përket shtetit ligjor.
Por Kryeministri Rama thotë se Komisioni ka mijëra ekspertë dhe verifikon shumë më saktë se dhjetë deputetë me duar në xhepa.
Po, por raportet i hartojnë sipas udhëzimeve të krerëve politikë! Jam impresionuar jashtë mase kur zonja Mogherini në Tiranë, në 9 majin e shkuar, e përgëzoi zotin Rama për suksesin këtë vit në luftën kundër kanabisit. Të harrojmë një çast se shumica e kanabistëve janë kthyer në kokainistë. Dhe ata syresh që nuk janë kthyer, kanë mbjellë “bar” me shumicë si vitin e kaluar, Nëse matim vetëm ndalimet e sivjetshme nga Policia greke e italiane në kufi. Por edhe të mos ishte kjo, prapë Rama mbetet Kryeministri i një ministri që në 2016 e ktheu Policinë në brigadë kultivimi te kanabisit e gjelbëroi atdheun anekënd dhe që sot është nën akuzë penale për këtë. A thua se ai vepronte me kokën e vet dhe i shefi ishte veç një sylesh i pafajshëm. A mund të imagjinohet Kryeministri De Gasperi të përgëzojë Stalinin se këtë vit ka çuar në gulag më pak disidentë se vjet? Lustrimet kësisoj kanë forcuar ndjesinë e pandëshkueshmerisë te pushtetarët dhe si pasojë indirekt kanë nxitur lidhjen e tyre me mafien për para e për vota. Dhe kanë vështirësuar integrimin europian të Shqipërisë, siç e tregoi një verifikim i ndershëm e me filtra seriozë si Bundestagu.
Aksioni i opozitës ka kaluar nga protestat, te zgjidhja me Reformën Zgjedhore. Është ndryshim taktik apo strategji?
Zgjedhjet e lira e të ndershme realizohen vetëm atëherë kur të dënohen ata që manipuluan zgjedhjet e mëparshme. Kur ai që do të tentojë edhe do të mendojë se mund të bëhet shok qelie me atë që e bëri e u dënua. Kështu ka funksionuar njerëzimi para e pas Dhjetë Urdhërimeve të Moisiut. Imagjinoni diku një vend ku hajdutët e deleve jo vetëm nuk ndëshkohen, por caktohen kryebashkiakë e deputetë. A është serioze apo ironike që aty dënimin për vjedhje bagëtie ta rrisësh nga gjashtë muaj burg në nëntë? Por ka edhe aspekte ku ndryshimi ligjor sjell përmirësime efektive, si financimi i partive politike. Por, gjithsesi, protestat mbeten mjeti i vetëm potencial për të detyruar klikën në pushtet për zgjedhje të parakohshme të dyfishta, qendrore e vendore.
Po qeveria tranzitore?
Patjetër! Shihni Maqedoninë! Gruevski mund të ketë pasur njëqind e një probleme, por pleksjen me kartelet e drogës nuk kam dëgjuar t’ia përmendin. Ai arriti marrëveshje me opozitën, pas skandaleve e protestave, që të instalohet një qeveri tranzitore para zgjedhjeve për të ngjallur besim se pushteti nuk do të abuzohet. Tani që z. Zaev propozoi zgjedhje parlamentare e partitë ranë dakord t’i mbajnë në prill, qeveria tranzitore do të emërohet në dhjetor, sipas mediave. Pse të ndruhemi nga ky model nëse na shërben? Shqipëria nuk është ndonjë fuqi bërthamore që Edi Rama të mos ndahet dot nga valixhja e komandës.