AKTUALITET, 12 Nëntor 2019, 13:47

Vrau bashkë me vëllain teknikun e kondicionerit, vetëdorëzohet në polici Griseldo Kusi

Vrau bashkë me vëllain teknikun e kondicionerit,


Vetëdorëzohet në polici, Griseldo Kusi, njëri nga vëllezërit Kusi, të shpallur në kërkim për vrasjen e Indrit Çelajt, i riu që kishin punësuar si teknik për kondicionerët në punimet e shtëpisë së re në kryeqytet.

“News 24” raporton se Griseldo Kusi është paraqitur në polici në prani të avokatit të tij.

Vëllezërit Griseldo dhe Alban Kusi, qeë janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj, janë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Burime nga grupi hetimor kishin bërë me dije se pavarësisht kërkimeve në të gjithë Shqipërinë, nuk ishte arritur që të zbulohej asnjë gjurmë e tyre. Nga gjurmimi i telefonave të tyre, sinjali i fundit ka ardhur nga rrethinat e Korçës.

Më pas nuk dihej më asgjë rreth vendndodhjes së tyre. Dyshimet paraprake flisnin për largimin e tyre drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër, megjithatë destinacioni përfundimtar kishte mbetur mister.

PROVAT PËR AUTORESINË

Prova më e fortë e Prokurorisë dhe që rrëzoi alibinë e protagonistëve të përfshirë në vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj, kanë qenë kamerat e sigurisë së një lokali pranë vendit të ngjarjes.

Grupi hetimor ka analizuar pamjet e tri kamareve sigurie, që kanë filmuar për afro një orë, nga ora 10:33 deri në orën 11:24, të datës 22 gusht, të gjitha veprimet e dyshimta të autorëve.

Nëpërmjet këtyre pamjeve është bërë identifikimi i vëllezërve Griseldo dhe Alban Kusi, të dyshuar si autorë të dyshuar të vrasjes së 26- vjeçarit Indrit Çelaj. Ndërsa është rrëzuar përfundimisht alibia e babait të tyre, Bujar Kusi, i cili pretendonte se djemtë e tij ndodheshin në plazh, te Gjiri i Lalzit me dy shoqe.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Griseldo Kusi është filmuar në orën 10:27:30, kur shfaqet në fillim të rrugës dhe me hap të shpejtë afrohet drejt lokalit. Diku në mes të rrugës dallohet se e afron dorën e djathtë, tek bën sikur i merr erë dhe e sheh me vëmendje.

Gjithashtu, dallohet një si njollë e kuqe në brendësi të dorës së djathtë. Ndërsa Alban Kusi, në orën 11:24:16, ndodhet në pjesën e pasme të lokalit duke biseduar me shtetasin Agron H. dhe Albani bën lëvizje dhe gjeste të pakontrolluara.